Mirdita Cakolli nga Prishtina ka rrëfyer përjetimin sesi është të kesh një fëmijë me Sindromën Down, dhe vështirësitë me të cilat përballet veçanërisht në Kosovë.
Cakolli në emisionin “SOT’’ të KTV-së rrëfeu për diskriminimet që i ka ndodhur djalit të saj gjashtë-vjeçar, që ajo e konsideron si ‘’shumë të veçantë”.
“Nuk e kam ditur gjatë shtatzënisë që e pres një djalë me Sindromën Down. Katër ditë pas lindjes e kam kuptuar që Blerti është i veçantë. Jam ndjerë shumë keq, nuk e kam ditë çka më pret. Pastaj me hulumtime, me kontakte me Shoqatën, kam filluar të mësohem. Blerti është një mrekulli që Zoti veç ka ditë me ma dhënë. Sado që flasim, e kam përjetuar dhembjen dhe për atë që më pret. Pesë vjet nuk kam punuar, jam marrë vetëm me Blertin. Kur i ka bo një vit, ka qenë hera e parë që është shtrirë në klinikë. Pastaj, për pesë vjet kemi shkuar nëpër klinika sepse këta fëmijë janë më të ndjeshëm. Kam përjetuar boll. Jam ballafaquar me diskriminime. Një nënë e një fëmije me Sindromën Down nuk duhet të ndjehet viktimë, thjesht je një nënë që të ka veçuar Zoti. Ka pas një rast kur ma kanë larguar nga kopshti për shkak të pelenës, por e kanë kthyer prapë. Ka ndodh probleme, probleme, dhe dikur thashë do të dorëzohem, por familja e ngushtë më ka ndihmuar shumë. Blerti është shyhreti i shtëpisë, dhe krejt fëmijët si Blerti janë bekim i Zotit. I bëj apel të gjitha nënave mos u dorëzoni, nuk keni nevojë me lënë punën, nuk keni nevojë me u mbyll, këta fëmijë janë bekim i Zotit. Njerëzit kanë nisur të vetëdijesohen, në shumë vende tash më hapen dyert”, rrëfeu Cakolli.
Cakolli tregoi se si djali i saj nuk iu pranua në institucionet parashkollore, pasi nuk kishte një staf të kualifikuar.
Ajo në fund iu bëri apel institucioneve në vend që të punohet më shumë për fëmijët me Sindromën Down, pasi sipas saj, deri tani është bërë shumë pak.
“Nëse krejt fëmijët shkojnë në shkollë, edhe Blerti duhet ta ketë aty vendin”, përfundoi Cakolli.