Arbëri

Rrecaj: Është momentumi për marrëveshjen përfundimtare Kosovë – Serbi

Profesori universitar, Besfort Rrecaj, deklaroi se Kosova dhe Serbia e kanë momentumin për arritjen e marrëveshjes përfundimtare.

Ai deklaroi të mërkurën në emisionin “60 Minuta” në KTV, se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka stagnuar për vite, e një ndër arsyet janë çështjet e brendshme të të dyja vendeve.

“Stagnimi i gjatë si rezultat i çështjeve të brendshme, zgjedhjet në Kosovë, e në Serbi. Tani duket se e kemi një situatë kur Kurti dhe Vuçiqi, e kanë legjitimitetin, është një momentum drejt zgjidhjes përfundimtare”, deklaroi Rrecaj.

Ai tha se me kancelarin gjerman, Olaf Schorz, po shihet një rizgjim i Gjermanisë.

“Duket se është një rizgjim i Gjermanisë. Gjermania është ndër kontribuueset më të mëdha në Kosovë e në Serbi. Kemi aplikimin e një politike të fuqisë së butë. Gjermania si një prej kontribuueseve, tenton të arrijë një sukses në dialogun që po stagnon tash e sa kohë”, tha tutje.

Sipas profesorit, Kosova dhe Serbia kanë legjitimitet të mjaftueshëm për ta përmbyllur procesin e dialogut, derisa siç potencoi ai, duhet të krijohet një vullnet i mirë drejt marrëveshjes përfundimtare.

“Problemi kryesor mbetet Serbia dhe unë besoj se Serbia do të gjykojë drejt dhe do t’i zgjedhë parimet dhe vlerat evropiane. Në rastin e Ballkanit Perëndimor, edhe nëse Serbia dëshiron të lidhë marrëdhënie me Rusinë, nuk e ka komoditetin. Unë besoj se afatet nuk janë aq të mira, por duhet një presion që palët ta kenë një synim dhe të punojnë në arritjen e zgjidhjes”, tha ai.

Duke folur për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor, Rrecaj shtoi se Rusia, hapësirën për realizimin e interesave nëpërmjet Serbisë e ka të limituar.

“Kercënimi (rus v.j.) nuk besoj se është prezent, sepse jemi në një enklavë të zonës së influencës euroatlantike. Sa më të cenueshme të jenë shoqëritë tona, aq më shumë vjen në pah roli i Rusisë në Ballkanin Perëndimor. Impakti rus në Ballkanin Perëndimor varet nga ne në një masë më të madhe, sesa nga Rusia. Nëse ne jemi shoqëri e fuqishme në aspektin e respektimit të ligjit dhe të demokracisë, edhe në aspektin e rregullimit të marrëdhënieve ndërmjet vete, roli i Rusisë do të jetë edhe më i vogël”, tha Rrecaj.

Ai e përmendi votën e Serbisë që e dënoi agresionin rus në Ukrainë, si pozicion pro shteteve evropiane.