Arbëri

Ritmi aktual i negociatave për qeverinë e re mund ta fut vendin në krizë

Mosarritja e marrëveshjes mes Lëvizjes Vetëvendosje e Lidhjes Demokratike të Kosovës, pritet ta shtyjë për vitin tjetër formimin e përbërjes së re të institucioneve.

Takimet mes dy partive janë shtyrë për një kohë të pacaktuar, pas mosmarrëveshjeve rreth ndarjeve të posteve, përkatësisht atij të presidentit, raporton KTV.

Profesori Mazllum Baraliu thotë se ekziston rreziku që bisedimet mes Vetëvendosjes dhe LDK-së, të kenë fatin e njëjtë me ato të koalicionit VLAN, të cilat krijuan zbrazëti institucionale për 6 muaj.

Në anën tjetër, nga Instituti Demokratik i Kosovës, kanë shpjeguar procedurat për konstituimin e Kuvendit dhe të votimit të qeverisë së re.

Sipas Agnesa Haxhiut nga KDI, ekziston mundësia që kryetari i Kuvendit të mos zgjidhet në seancën e parë, ku edhe pritet të bëhet betimi i deputetëve të rinj.

Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve javën e kaluar, presidenti Hashim Thaçi duhet që brenda 30 ditësh të thërrasë seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Pas konstituimit të kuvendit, pason votimi i kabinetit qeveritar.