Arbëri

Rikthehet Geci: LDK po i përmirëson gabimet e veta dhe po e bashkon elektoratin e vet

Ish-deputeti i LDK-së (2007-2010), e më pas anëtar i LDD-së së Nexhat Dacit, ka thënë se LDK-ja po e përbashkon elektoratin e vet, e po i përmirëson gabimet që i kishte bërë pas çarjes që ishte shkaktuar pas vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova.

“Kur mundesh, mundesh; Kur s’mundesh s’mundesh; Kur s’mundesh, prit kur mundesh!”, kanë qenë fjalët me të cilat e ka nisur postimin e tij Geci.

“Të nderuar miq, sa ishte gjallë presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova edhe Kosova edhe LDK ishte e lidhur për emrit të tij. Pas vdekjes së presidentit Rugova, LDK nuk është më e lidhur me asnjë emri as të këtyre që janë sot as të atyre që do të vinë. LDK pas vdekjes së presidentit Rugova ka bërë disa gabime dhe nga ato gabime edhe ka pësuar. LDK po i përmirëson gabimet e veta po e bashkon elektoratin e vet”, ka thënë Geci.


Sipas tij, “LDK-ja që nga themelimi ka pas njerëz të pamposhtur në të gjitha zgjedhjet i kanë fituar gjitha kurdo që kanë garuar nëpër komunat e tyre dhe qa me ju than tash ata i kanë fituar gjithë edhe gjenerata e mesme janë mesi i artë, ndërsa gjeneratë e re e LDK-së fëmijët tanë janë e ardhmja e ndritur që njohin disa gjuhë të huaja, e njohin kibernetikën dhe njohin botën civilizimin perëndimor”.


“Unë Gani Geci shumë kohë para këtij Kuvendi kam thënë se do ta mbështes cilin do kryetar që do ta zgjedh kuvendi i IX-të i LDK-së, pra kushdo që fiton garën do ta uroj. Garën e ka fituar Isa Mustafa në zgjedhjet e brendshme dhe tani kemi garën politike me kundërshtarët politikë që garojnë për pushtet në zgjedhjet nacionale”, ka thënë ai.


Geci ka thënë tutje se “do të mbështesë me gjithë fuqinë e tij dhe të familjes së tij, Lidhjen Demokratike të Kosovës”.

Sipas tij, “programi i LDK-së është më parimori, njerëzit e LDK-së janë më të edukuarit dhe të shkolluarit, njerëzit e LDK-së janë më të kapshmit për skenën politike në vendore dhe ndërkombëtare”.

“Vjosa Osmani ka arritur të bëhet anëtare e Bordit të Bankës Botërore pa ndihmën e askujt. A nuk është ky sukses i LDK-së?”, ka thënë Geci.

“Nuk ka asnjë proces politik në Kosovë që ka mundur të kalojë pa LDK-në edhe kur ishte në pozitë dhe kur ishte në opozitë. Pa LDK nuk mund kalojnë proceset e mëdha. LDK ju ka qëndruar dhe ju qëndron marrëveshjeve politike edhe me partitë tjera edhe me ndërkombëtarët”, ka thënë më tej Geci.

Geci ka thënë se LDK-ja pas luftës ka sakrifikuar vetveten, njerëzit e vet për hir të paqes dhe qetësisë.


“LDK-ja i ka anashkaluar vëllavrasjet pas lufte, LDK e ka duruar stupcin, e ka duruar plumbin, e ka duruar fyerjen, e ka duruar sharjen për hir të Kosovës. Qeverisja e LDK-së me në krye Isa Mustafën ka qenë më e mira e pasluftës. S’ka rëndësi kënd e do individi në këtë rast. Në mes të gazit në mes të mollotovit në mes vezëve ka qenë më e mira e të gjitha Qeverive të pas luftës”, ka thënë Geci.


Për Gecin, programi i LDK -së është më i miri nga të gjitha partitë politike, e LDK, sipas tij, nuk është parti e vezëve, e gazit lotsjellës, e vrasjeve, e bllokimit të proceseve politike as kur është në pozitë as si opozitë, e protestave, e nuk është parti e molotovit, derisa ka thënë se LDK dhe njerëzit e saj e kanë një filozofi politike të zgjidhjeve të problemeve hap pas hapi.

“LDK por edhe familja ime ka një filozofi: Kur mun mun,kur s’mun s’mun, kur s’mun prit kur mun!’. LDK ‘nuk nuk mundohet ta sjell rrotën andej kah nuk sillet. Ne familja jonë më herët nuk kemi mund të garojmë dhe kemi prit 12 vjet dhe tani na janë hapur rrugët së bashku me kryesinë t’i gjunjëzojmë kundërshtarët politikë në garën politike. Ne duhet ta sjellin rrotën andej kah sillet. Me LDK-në do vjen ndryshimi. LDK nuk është më e mira në botë, por LDK është më e mira nga të gjitha qe i kemi”, ka thënë në fund ai.