Arbëri

Rifillon rrënimi i vilave pa leje në Orllan

Inspektorati i Komunës së Podujevës ka nisur sërish rrënimin e vilave pa leje në fshatin Orllan, pas një pauze tremuajshe. Aksionin që kishte nisur më 24 nëntor të vitit të kaluar, kompania e kontraktuar për këtë qëllim e kishte ndërprerë pas disa ditësh me arsyetimin e prishjes së makinerive. Zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia i ka thënë KOHËS se deri tash janë rrënuar shtatë vila pa leje.

“Sot ka vazhduar aksioni nga Drejtoria e Inspeksionit për rrënimin e vilave të ndërtuara pa leje në zonën e Orllanit. Deri tash janë rrënuar 7 vila dhe aksioni do të vazhdojë edhe ditëve në vijim deri në ekzekutimin e plotë të të gjitha vendimeve të nxjerra për rrënim të vilave pa leje nga ana e Drejtorisë së Inspeksionit”, ka theksuar Fatri Zhitia. “Aksioni ishte ndërprerë për një kohë për shkak të prishjes së pajisjeve të makinerisë së rëndë të kompanisë së kontraktuar për rrënimin e objekteve pa leje. Dhe një nga telashet që është shfaqur gjatë ekzekutimit të vendimit për rrënim të objekteve pa leje ka qenë prishja e makinerisë dhe vonesat që janë shkaktuar për shkak të këtyre problemeve teknike”.

Në muajin nëntor kur kishte nisur rrënimi, zyrtarët komunalë kishin thënë se ky aksion përfshin tetë objekte pa leje të ndërtuara në zonën e dytë mbrojtëse në fshatin Orllan dhe se rrënimi bëhet pasi lëndët për këto objekte kanë kaluar nëpër të gjitha instancat shtetërore, përfshirë edhe gjykatat.

“Janë zhvilluar të gjitha procedurat duke filluar nga ankesat e palëve në Komunën e Podujevës, në drejtim të Ministrisë së Mjedisit dhe në gjykatë, ku të gjitha këto instanca shtetërore i kanë konsideruar si të pabazuara këto ankesa andaj edhe Drejtoria e Inspeksionit duke u bazuar në to ka vepruar duke bërë rrënimin e këtyre vilave. Ky aksion do të vazhdojë edhe në ditët në vijim me qëllim që të vendoset ligjshmëria në këtë zonë, e cila edhe është zonë e mbrojtur”, kishte thënë Fatri Zhitia.

Ai kishte theksuar se në zonën e Orllanit janë gjithsej 59 vila apo objekte pa leje të cilat janë në faza të ndryshme.