U.D. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Naim Rexha, është takuar me kryetaren e Sindikatës së Policisë, Valbona Kamberin dhe nënkryetarin e kësaj sindikate Shaban Tasholli.
Në këtë takim, sipas njoftimit, janë diskutuar tema të ndryshme në interes të zhvillimit dhe avancimit të policisë në fusha të ndryshme, ndërsa temë diskutimi ka qenë edhe mirëqenia e policëve. Kjo temë u cilësua si një ndër diskutimet me interes të veçantë dhe të nevojshëm për të gjithë punonjësit e PK-së.
Sindikata kohëve të fundit, sidomos pas rastit të dy policëve të zhdukur në lumin Lepenc në orar të punës, ka kërkuar që sa më shpejtë të rregullohet çështja e sigurimeve shëndetësore për policët.
“Të njëjtit u dakorduan për angazhim dhe bashkëpunim të përbashkët në këtë drejtim, të gjetjes së ndonjë mundësie apo zgjidhjeje ligjore në bashkëpunim edhe me institucionet relevante të shtetit, e cila do të ndikojë pozitivisht në mirëqenien e punonjësve të PK-së”, thuhet në njoftim të Policisë së Kosovës.