Partinë që merr pjesë në zgjedhje prej vitit 2010, rezultatet preliminare e kanë nxjerrë me më shumë vota se LDK-ja e epokës së ish-presidentit Ibrahim Rugova në dy palë zgjedhjet e para të pasluftës. Ky rezultat ridizajnoi edhe hartën politike nëpër komunat e Kosovës. Për herë të parë në historinë tridekadëshe, LDK-ja nuk ka arritur të dalë forcë e parë në asnjë komunë. Derisa VV-ja fitoi shumicën prej tyre, PDK e AAK arritën t’i ruajnë vetëm bastionet e tyre
Kosova ka përjetuar tërmet politik në zgjedhjet e jashtëzakonshme të së dielës. Veç rezultatit historik që prodhuan ku Lëvizja Vetëvendosje theu rekordin e LDK-së Ibrahim Rugovës, u shembën edhe shumë bastione. Ka ndërruar fuqia e partive kryesore dhe ka mbetur jashtë kuvendit një subjekt që e promovonte veten si trashëgimtare e UÇK-së.
Lëvizjen Vetëvendosje që merr pjesë në zgjedhje prej vitit 2010, rezultatet preliminare e kanë nxjerrë me më shumë vota se LDK-ja e epokës së ish-presidentit Ibrahim Rugova në dy palë zgjedhjet e para të pasluftës.
LDK-ja atëbotë pati fituar 45.7 për qind (2001) dhe 45.42 (2004). Pas 20 vjetësh, LVV-ja ka fituar mbi 47 për qind apo 380 mijë vota nga mbi 90 për qind të vendvotimeve të procesuara. Në koalicion me LVV-n ishte edhe lista e Vjosa Osmanit e cila ndau rrugët me LDK-në vitin e kaluar.
Janë ndëshkuar veçmas dy subjektet kryesore politike që prej pasluftës kanë qeverisur me vendin, LDK-ja dhe PDK-ja.
Në historinë tridekadëshe, LDK-ja është ranguar si subjekt i tretë në nivel vendi.
Përmbysja e madhe ridizajnoi edhe hartën politike nëpër komunat e Kosovës.
Vetëvendosje doli forcë e parë në 22 komuna, përfshirë Prishtinën, Podujevën, Prizrenin, Gjilanin, Ferizajn, Pejën e Gjakovën.
LDK-ja shënoi rekord të zi duke mos arritur fitore në asnjë komunë. Dështoi edhe në bastionet e saj.
Ka dalë vetëm e dyta apo e treta edhe në komunat ku udhëheq në nivel komunal dhe kishte fituar zgjedhjes e 2019-ës, sikurse në Pejë dhe Istog. Këtë fundit në zgjedhjet e vitit 2019 e kishte fituar me 44.186 për qind. Tani prin VV-ja me 43.81 për qind. LDK-ja është prapa Vetëvendosjes edhe në Gjilan e Lipjan. I ka humbur edhe bastionet ku kishte dalë e para më 2019-ën- Fushë Kosovën e Vitinë.
Prej vitit 2001 e deri më 2007 hartën elektorale nëpër komuna e dominonte LDK-ja.
Pas kësaj periudhe, fituese ishte PDK-ja deri në vitin 2017.
Në zgjedhjet e 2021-ës, fuqia e PDK-së është tkurr duke ruajtur vetëm bastionet në Skenderaj dhe Drenas.
Edhe partia tjetër që identifikohet me rajonin, AAK-ja e ka ruajtur fuqinë vetëm në Deçan e Junik. Kjo parti udhëheqë me Gjakovën dhe zgjedhjet e vitit 2019 kishte më së shumti vota. Por tani ka dalë vetëm forcë e tretë pas Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike. AAK është zhvendosur si e dyta pas VV-së (46.49) edhe në Rahovoce, që në zgjedhjet e vitit 2019 kishte fituar me 27.7 për qind.
E, Nisma doli e para në Malishevë, por nuk e kaloi pragun.
Votimi nuk ka sjellë befasi tek komuniteti serb, ku Lista Serbe doli e para në komunat me të cilat udhëheqë, në disa prej tyre me mbi 80 për qind. Në Zveçan ka fituar me 86.77 për qind, në Zubin Potok 83.76 për qind, Leposaviq 79.10 për qind e Mitrovicë e Veriut 62 për qind. Fitore me mbi 50 për qind ka shënuar edhe në komunat në jug të Ibrit- Shtërpcë, Graçanicë, Kllokot, Partesh e Novobërdë. Por krahasuar me zgjedhjet e vitit 2019, Lista që mbështetet prej Beogradit zyrtar ka rënie në rreth 10 mijë vota.