Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka parashikuar rënie të të ardhurave dytësore në ekonominë e Kosovës, për shkak të pandemisë së shkaktuar nga sëmundja COVID-19.
Remitencat apo dërgesat e qytetarëve të Kosovës që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës, sipas BQK-së mund të pësojnë rënien sikur në krizën ekonomike globale të vitit 2009.
Vëllimi i dërgesave të emigrantëve, sipas raportit vjetor të BQK-së të vitit 2009 ishte zvogëluar për 5.5 për qind duke shënuar rënie në 505.6 milionë euro nga 535.4 milionë euro, sa ishte në vitin 2008.
Në të njëjtën periudhë edhe ekonomia e Kosovës, sipas këtyre të dhënave, kishte shënuar rënie të rritjes ekonomike nga 4.5 për qind në 3.6 për qind.
Kushtrim Ahmeti, zëdhënës në BQK, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, thotë se për muajin janar dhe shkurt nuk ka pasur rënie të remitencave, por që kjo rënie mund të vërehet në muajin mars ose prill.
Nga të dhënat e fundit të BQK-së për dy muajt e parë të vitit 2020, thotë Ahmeti, vlera e remitencave të dërguara ishte 123.7 milionë euro.
“Remitencat janë një nga kanalet që mund të preken për shkak të krizës pandemike. Kosova ka një varësi mjaft të lartë nga remitencat, duke pranuar një shumë prej mbi 10 për qind të Bruto Produktit Vendor në baza vjetore”, thotë Ahmeti.
“Rënia e aktivitetit ekonomik në vendet e zhvilluara, sidomos në ato vende ku tradicionalisht kemi pasur më së shumti dërgesa për shkak të numrit të madh të mërgimtarëve, mund të ndikojë në zvogëlimin e këtij burimi shumë të rëndësishëm për financimin e konsumit në vendin tonë”, shton ai.