Elmi Reçica, kryetar i Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, në një intervistë për DW, ka folur për ndërprerjen e dialogut, pasojat e këtij vendimi, demarkacionin e tema tjera.
Ai thotë se kohëve të fundit Serbia, ka marrë një mori vendimesh të cilat qëllim kanë pasur destabilizimin jo vetëm të Kosovës por edhe tërë rajonit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë të propozuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila është mbështetur nga të gjitha grupet parlamentare. Rezoluta përmban kërkesën për lirimin e z.Ramush Haradinaj që po mbahet në Francë. Me anë të kësaj Rezolute gjithashtu kërkohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës të kërkojë nga BE-ja, që ta detyrojë Serbinë që t'i anulojë të gjitha aktakuzat dhe çështjet e fletë-arresteve të lëshuara nga Serbia përmes Interpolit për shtetasit e Republikës së Kosovës. Ndalimet e tilla janë të papranueshme. Veprimet e Serbisë paraqesin shkelje të së drejtës ndërkombëtare duke lëshuar fletë-arreste ndërkombëtare ndaj shtetasve të Kosovës dhe duke u krijuar pengesa të lëvizjes së lirë të qytetarëve tanë, të cilët janë pjesë e këtyre pretendimeve akuzuese të pabaza që nuk përbëjnë asgjë me të vërtetën”, ka thënë Reçica në këtë intervistë.
Me anë të kësaj Rezolute, sipas deputetit Reçica, nuk synohet të bëhet presion ndaj institucioneve politike apo juridike porse, siç thotë ai, qëllimi është të adresohet tek faktori ndërkombëtar çështja e fletë-arresteve të lëshuara nga Serbia.
“Destruktiviteti i vazhdueshëm nga ana e palës serbe paraqet një padrejtësi ndaj qytetarëve t Kosovës. Meqë Kosova ende nuk ka arritur të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare të sigurisë, në Interpol dhe Europol, institucionet tona e kanë ende të vështirë për t'i dhënë fund kësaj çështjeje, përkatësisht pastrimit të listave të pretenduara nga ana e shtetit serb”, ka potencuar ai.
Ai, megjithatë, thotë se dialogu duhet të vazhdojë me angazhim të përbashkët dhe serioz, ndërsa shton se formati i ardhshëm i dialogut nuk dihet cili do të jetë.
“Por pala serbe duhet të përmbahet nga aktet destruktive dhe retorika e ashpër. Kohët e fundit kemi parë veprime tejet tensionuese të ndërmarra nga pala serbe, si ngritja e një muri nga serbët lokal në veri të Mitrovicës, keqpërdorimi i pranisë së Serbisë në Interpol lidhur flet-arrestet e pabaza, përpjekja e palës serbe që të fusë në Kosovë një tren me grafite me përmbajtje nacionaliste të drejtuara ndaj Kosovës... Republika e Kosovës do të jetë prezente në të gjitha nismat rajonale dhe ne nuk do të izolohemi në asnjë mënyrë. Ndonëse është ndërprerë dialogu me Serbinë në Bruksel, kjo nuk nënkupton edhe izolimin e Kosovës dhe mos paraqitjen e saj në nismat apo takimet rajonale, që dëshmon edhe pjesëmarrja e kryeministrit Mustafa në takimin e kryeministrave të Ballkanit Perëndimor në Sarajevë. Atje ai ka pasur kontakte edhe me kryeministrit e Serbisë Vuçiq. Do të thotë, kontaktet në këto nivele vazhdojnë”, është shprehur Reçica.
Sa i përket çështjes së forcimit të Rusisë, deputeti dhe kryetari i Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, Elmi Reçica, thotë se “Rusia në Ballkan nuk do të gjejë mbështetje”.
“Pozicioni i rajonit tonë është kundërshtues ndaj saj. Ne kemi parë se si rusët përmes forcave nacionaliste serbe provuan ta rrëzojnë në mënyrë të dhunshme qeverinë në Mal të Zi, me qëllim që të ndalojnë procesin e anëtarësimit të këtij vendi në NATO. Të gjitha këto lëvizje janë regjistruar edhe nga ana e BE, sepse Brukseli është i interesuar që të stabilizojë dhe jo destabilizojë këtë rajon. Nuk mund të fajësohet Republika e Kosovës për qasje destruktive ndaj dialogut vetëm se ka ndërprerë dialogun me Republikën e Serbisë, e cila pas veprimeve të fundit reflekton çorientim në rrugën e saj drejt BE-së. Republika e Serbisë jo vetëm se nuk do të ketë favore nga kjo situatë, por pas këtyre ngjarjeve do t'i duhet të qartësojë përcaktimin dhe orientimin e saj evropian. Fqinjësia e mirë me Kosovën është rruga e vetme që mundëson anëtarësimin e Serbisë në BE”, thotë ai.
Për çështjen e demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, Reçica thotë se është një çështje e cila ka thelluar dallimet në mes qeverisë dhe opozitës.
“BE-ja tashmë ka vendosur si kriter për liberalizimin e vizave edhe çështjen e demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi. Përfaqësuesja e Lartë e BE për Politikë të Jashtme dhe Siguri, z. Mogherini, por edhe zyrtarë të tjerë kanë kërkuar miratimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, që të mund të marrim liberalizimin e vizave. Së fundi, Qeveria e Kosovës ka angazhuar një komision për matjen e territorit të Kosovës. Ky Komision ka publikuar para pak kohësh raportin e tij dhe ka konstatuar se Kosova nuk humbë territor nga marrëveshja e nënshkruar me Malin e Zi për shënimin e vijës kufitare mes dy vendeve”, deklaroi deputeti i PDK-së në këtë intervistë në DW.
Ai thotë se raportet mes dy vendeve, Kosovës dhe Malit të Zi, janë të shkëlqyera, duke theksuar se shteti i Malit të Zi e ka mbështetur vazhdimisht Kosovën në fusha dhe forma të ndryshme - si në nismat rajonale ashtu edhe në organizatat ndërkombëtare.
“Këto raporte janë intensifikuar në vazhdimësi dhe çështja e demarkacionit nuk ka ndikuar fare në këto raporte. Çështja e demarkacionit është betejë e argumenteve mes ekspertëve të brendshëm të Kosovës, për shqyrtimin e humbjes apo jo të territorit të Republikës së Kosovës. Kjo nuk ka të bëjë fare me Malin e Zi. Përkundrazi Qeveria e Malit të Zi ka ofruar bashkëpunim të jashtëzakonshëm për tejkalimin e kësaj situate”, thekson ai.
“Është çështje e Qeverisë së Kosovës se kur do të procedohet për miratim në Kuvendin e Kosovës Marrëveshja për Demarkacion. Ne nuk kemi ende ndonjë konfirmim zyrtar se kur do të procedohet nga ana e Qeverisë, por demarkacioni nuk do të shfrytëzohet si shkas për zgjedhje të jashtëzakonshme”, përfundoi ai.