Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK) ka reaguar të shtunën ndaj deklaratës së zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, Besnik Bislimi, i cili gjatë një raportimi para Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane të premten, ka bërë krahasimin e ikjes së mjekëve nga Kosova me ikjen e mjekëve nga Gjermania.
OMK-ja ka vlerësuar se të thuhet se mjekët kosovarë po ikin në Gjermani pasi ata të Gjermanisë po ikin nga vendi i tyre, është mohim i gjendjes së rëndë kronike dhe akute në të cilën funksionojnë mjekët e Kosovës.
“Oda e Mjekëve të Kosovës shpreh zhgënjimin ndaj deklaratave të zv.kryeministrit, Besnik Bislimi i cili në takim me komisionin përgjegjës parlamentar ka bërë krahasimin e mjekëve kosovarë më mjekë gjermanë. Një krahasim i tillë, po të ishte real për nga arsyet, do të ishte vlerësues para së gjithash për sistemin shëndetësor të Kosovës. Mirëpo, në kushtet që punojnë mjekët kosovarë, pasigurinë sociale të cilën e ballafaqojnë çdo ditë, vështirësitë nga më të ndryshmet, përfshirë këtu edhe rrezikshmëria në vendin e punës, të thuhet se mjekët kosovarë migrojnë në Gjermani për shkak se mjekët gjermanë braktisin Gjermaninë, është mohim i gjendjes së rëndë kronike dhe akute njëkohësisht”, thuhet në reagim.
Sipas OMK-së, Gjermania nuk ballafaqohet me deficitin kuadrovik vetëm në raport me profesionin e mjekut por edhe në sektorë të tjerë për shkak të faktorëve të ndryshëm social.
OMK-ja ka thënë po ashtu se në Kosovë po ndodh një eksod i mjekëve.“Kjo rrethanë eminente vitet e fundit, do e sjellë Kosovën në situatë të tillë ku as përqindja minimale e mjekëve në kokë të banorit nuk do të mund të jetë plotësuar. E kjo paraqitet si anakronike me situatën në të cilën gjendemi e ku aktualisht janë mbi 500 mjekë të papunësuar, pra mbi 12% e numrit total të mjekëve”, thuhet më tej në reagim.
