Arbëri

Rasti “TOKA” kthehet në pikën zero për shkak të avancimit të gjyqtarëve

Janë bërë më shumë së katër vjet prej kur është ngritur aktakuzë ndaj ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla, për vepra penale që lidhen me korrupsionin, në aferën e njohur si “TOKA”.

Për rreth 4 vjet proces gjyqësor janë mbajtur disa seanca, ndërsa aktualisht gjykimi është në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve.

Por, procesi gjyqësor pritet të kthehet në pikën zero. Kjo për shkak së kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, është avancuar në Gjykatën e Apelit.

Ndërrimi i kryetarit të trupit gjykues, sipas Kodit të Procedurës Penale, obligon që gjykimi të fillojë rishtas nga pika zero.

“3. Kur shtyrja ka zgjatur më shumë se gjashtë (6) muaj, ose kur shqyrtimi gjyqësor mbahet para një kryetari tjetër të trupit gjykues, shqyrtimi gjyqësor duhet të fillojë rishtas dhe përsëri të shqyrtohen të gjitha provat”, thotë Neni 310 Kodi i Procedurës Penale, paragrafi 3.

Aktakuza për sulm në Kuvendin e Kosovës ka filluar shqyrtimin për të dytën herë. Kryetar i trupit gjykues ishte Beqir Kalludra, ndërsa të akuzuar ishin aktivistë e ish-aktivistë të Vetëvendosjes.

Ky gjykim do të nisë sërish nga zero, për shkak të ndërrimit të trupit gjykues.

KOHA ka provuar të marrë një qëndrim nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës e nga Gjykata Themelore në Prishtinë, por ata nuk janë përgjigjur.

Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, ka thënë së në tilla situata asnjë gjyqtar i Apelit nuk mund të vazhdojë gjykimin e rasteve të shkallës më të ulët.

“Pa një vendim dhe delegim të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, një gjë e tillë nuk mund të ndodhë. Kjo çështje i takon KGJ-së”, ka thënë Shala.

Më problematike është situata në Departamentin e Krimeve të Rënda në Prishtinë.

Ky departament ka 16 gjyqtarë, 7 prej tyre janë avancuar në Departamentin Special, ndërsa 1 është kthyer në Gjykatën Themelore në Pejë.

Për drejtorin e Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, vendimi i KGJK-së që të avancojë pa ndonjë plan tetë gjyqtarë të Krimeve të Rënda e rrezikon funksionimin e këtij departamenti.

“Kush do të japë nesër përgjegjësi ku mesatarisht 20-30 për qind e këtyre lëndëve, po flasim për krimet e rënda, mund të parashkruhen për shkak të këtij veprimi. Ne kemi pasur kontakte më shumë avokatë të cilët vetëm kanë deklaruar së kanë procese gjyqësore në fazën finale të parashkrimit dhe me këtë vendim KGJK-ja ua ka dhënë një shtyrje të madhe të gjithë atyre shkelësve”, ka thënë Miftaraj.

Në këtë departament janë në trajtim rreth 1500 lëndë.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka vendosur për avancimin e këtyre gjyqtarëve, ndërsa emërimi i tetë gjyqtarëve të rinj nuk po arrin të përfundojë qe rreth 2 vjet.