Ministri për Komunitete dhe Kthim i Qeverisë së Kosovës, Nenad Rashiq, ka votuar kundër propozim-vendimit “për themelimin e Grupit Punues për hartimin e Konceptimit për themelimin e Muzeut për dokumentimin dhe prezantimin e krimeve të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës”.
Rashiq nuk është pajtuar që për krime lufte të fajësohet një vend i tërë.
“Mendoj se në një mënyrë kategorizimi apo përgjithësimi i një vendi për krimet nuk është adekuat. E mbi të gjitha, kur përmendet çështja e brezave të ardhshëm, mendoj se nuk duhet të bëjmë një kategorizim të tillë, duke e bërë një shtet të tërë kriminal. Sigurisht se pajtohem që të tregohet pjesa që duhet, në mënyrë që të mos ndodhin më krime të tilla, e përgjegjësitë të përballen me drejtësisë. Por, përgjithësimi i krimeve e adresimi i fajit te një shtet i tërë nuk mendoj se duhet të bëhet”, tha Rashiq në mbledhje të Qeverisë, duke bërë thirrje që të përmirësohet teksti.
E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se çështja e tekstit do të adresohet nga organet përkatëse, e ka thënë se nuk duhet bërë fajësimi i popullit, pasi kjo nuk përputhet “me qeverisjen progresiste”.
Propozim-vendimi është votuar në mbledhjen e Qeverisë.
Edhe
Miratohet koncepti i Muzeut të Gjenocidit, Rashiqi kundër që Serbia të definohet shtet gjenocidal
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, është pyetur për këtë çështje në konferencë pas Mbledhjes së Qeverisë.
“Është mirë me pyet edhe ministrin që mos të flasë në emër të tij. Të gjitha propozim-vendimet gjithmonë ju shkojnë ministrive dhe aty kanë mundësi që me ngrit pyetje. Nuk e di nëse z. Rashiq me kohë e ka parë këtë propozim-vendim. Mund të jetë ky rasti, por të mos flas në emër të tij. Besoj që dilema që e kishte ai, do të sqarohet kollaj. Nuk kemi marrë vendim për ta themeluar menjëherë, njëherë koncepti e pastaj bëhet analizë e mirëfilltë. Baza e konceptit do të na jap përgjigje për periudhën për të cilën po flasim. A po flasim për Muze që dokumenton e prezanton krimet e luftës së fundit, apo shkojmë më prapa se lufta e fundit. Do të sqarohen”, tha Çeku.