Vetëm një herë është përmendur fjala progres në Raportin e Komisionit Evropian për fushën e arsimit. Raporti përsërit kritikat për mungesë të teksteve mësimore të përshtatshme e për moszhvillimin e qëndrueshëm profesional të mësimdhënësve, ndërsa ka vlerësuar hapat në adaptimin e legjislacioneve. E për ndërlidhjen e arsimit me tregun e punës është vlerësuar se nuk ka pasur progres
Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën ka vlerësuar se nuk është shënuar ndonjë progres i dukshëm në fushën e arsimit.
Sipas raportit ka një nivel të përgatitjes në fushën e arsimit dhe kulturës. Fjala progres në raport përmendet vetëm një herë, aty ku flitet për rikthimin e Agjencisë Kosovare për Akreditim në ENQA si anëtare e asociuar, si dhe për adoptimin e legjislacioneve.
“Gjatë periudhës së raportimit ka pasur njëfarë progresi, veçanërisht me Agjencinë Kosovare të Akreditimit duke u bërë anëtare e asociuar e Asociacionit Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, dhe me miratimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Akreditimit dhe Ligjit për Edukimin në Fëmijërinë e hershme”, shkruan në Raportin e Progresit.
Ndërlidhja e arsimit dhe aftësimi profesional me tregun e punës që është theksuar nga kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, prioritet i Qeverisë, në raportin evropian është vlerësuar se nuk ka pasur progres.
Sipas Raportit, profilet të ofruara nga shkollat profesionale nuk bazohen në standardet profesionale dhe shpesh nuk janë të harmonizuara me kërkesat e tregut të punës.
Profesori në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, Besnik Krasniqi, ka thënë ky vlerësim vjen pasi shkollave u mungojnë kushtet, aftësitë e mësuesve dhe analizat institucionale për nevojat që ka tregu.
“I kemi dy probleme, e kemi numrin e sasisë që nuk është i mjaftueshëm për nevojat e bizneseve dhe në anën tjetër i kemi që krahas numrit mungon edhe cilësia adekuate. Ne shembull kemi mungesë të analizave, nuk kemi studime se cilat profesione kanë me u rritë në 10 vjetët e ardhshëm”, ka thënë ai.
Raporti përsërit kritikat e mëparshme, për mungesë të teksteve mësimore të përshtatshme e për moszhvillim të qëndrueshëm profesional të mësimdhënësve.
Njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, ka thënë se raporti thekson nevojën urgjente të përmirësimit të procesit të mësimdhënies dhe mësimnxënies.
“Në thelb kanë marrë një përgjigje në nivel të politikave, por këto politika të rishikuara nga ana e ministrisë deri më sot nuk kanë arritë të konvertohen në diçka të prekshme brenda sektorit. Pra kemi një ligj që adreson Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, mirëpo ky ligj në vete nuk mjafton të rrisë përfshirjen e fëmijëve në parashkollor”, ka deklaruar ai.
E në Ministri kanë vlerësuar se raporti pranon një nivel të përgatitjes dhe përmirësimit në fushën e arsimit. E për kritikat e dhëna kanë theksuar se në vazhdimësi janë duke punuar në reforma.
“Sa i përket cilësisë së arsimit, Raporti e thekson nevojën për përmirësim të mëtejmë në aspekt të trajnimit, kualifikimeve dhe rezultateve mësimore të mësimdhënësve. MASHTI, në vazhdimësi është duke reformuar, përvetësuar metodologji dhe praktika të reja në fushën e arsimit në përgjithësi”, thuhet në përgjigjen e MASHTI-t.
Në raport është vlerësuar se 38.000 fëmijë me aftësi të kufizuara nuk janë të përfshirë në shkollim. Ndër shkaktarët e përmendur në raport janë infrastruktura jogjithëpërfshirëse në shkolla, mbështetja joadekuate dhe numri i ulët i asistentëve të kualifikuar.
Sa i përket arsimit universitar, raporti thekson problemin e integritetit akademik. Nga Komisioni Evropian kërkohet që institucionet e arsimit të lartë të investojnë më shumë në zbatimin e dokumenteve strategjike dhe planet e veprimit.