Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Raporti i DASH: Kanabisi u shtua në 2016 në Shqipëri, problem edhe pastrimi i parave

Departamenti Amerikan i Shtetit e rendit Shqipërinë tek vendet prodhuese të drogës dhe ndër vendet problematike për pastrimin e parave.

Në raportin e tij, Departamenti i Shtetit, në vëllimin e narkotikëve, flet për raportimet e qeverisë shqiptare për shkatërrimin e plantacioneve dhe arrestimet që janë bërë në kuadër të luftës kundër narkotikëve në përgjatë 2016-s, transmeton tch.

Por DASH flet edhe për rritjen e kultivimit të kanabisit. “Autoritetet shqiptare kanë bashkëpunuar me ato italiane për mbikëqyrjen e territorit në lidhje me aksionet antitrafik”, thotë DASH. 

Shqipëria klasifikohet si një vend ku prodhohet vetëm kanabis, duke e përjashtuar vendin tonë nga listat e vendeve prodhuese të drogërave të forta dhe lëndëve sintetike me të cilat përziehen ato.  

Në dokument vihet në dukje se shteti shqiptar nuk ka të dhëna zyrtare për përhapjen e përdorimit të drogës. Krahas hashashit, përdorimi i drogës nuk cilësohet si i zakonshëm në Shqipëri, sipas DASH. 

Në vijim, raporti citon të dhënat e policisë shqiptare për kapjen e drogës dhe arrestimet e bëra, por edhe çështjet e shqyrtuara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe gjykatat.

Ndërkohë, evidentohet se fenomeni i mbjelljes së kanabisit është shtuar gjatë 2016.  Shteti shqiptar, sipas raportit, ka zhvilluar 31 operacione për përforcimin e ligjit në këtë kuadër në bashkëpunim me agjencitë e huaja, ku theksohet se SHBA vijon të ofrojë ndihmën e saj për menaxhimin e kufijve me qëllim identifikimin dhe kapjen e trafikantëve.

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit flet edhe për pastrimin e parave.Vendi ynë, thuhet në dokument, mbetet i rrezikuar nga fenomeni i pastrimit të parave, si pasojë e korrupsionit në nivele të larta dhe institucioneve të dobëta ligjore dhe qeveritare. 

Krimet që gjenerojnë pjesën më të madhe të parave të pista, sipas raportit, janë trafiku i drogës, i qënieve njerëzore, kontrabanda dhe evazioni fiskal. 

Shqipëria në syrin e Departmanetit Amerikan të Shtetit mbetet një vend i lëhte ku mund të pastrohen paratë e jashtëligjshme. Po ku investohen këto para? Pasuritë e paluajtshme, sidomos në zonat bregdetare dhe lojërat e fatit, duket se janë shënjestra e preferuar e kriminelëve me para.

Shqipëria, sipas raportit, ka nevojë të forcojë zbatimin e ligjit në luftën ndaj pastrimit të parave, ndërsa policia dhe Prokuroria duhet të kenë një bashkëpunim më të mirë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo