Arbëri

Rama: Ushtria serbe në kufi të Kosovës e ka fuqinë zero

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se efekti i afrimit të ushtrisë serbe në kufi të Kosovës është i barabartë me zero.

Në Forumin e Sigurisë në Sllovaki, Rama është pyetur për situatën e tensionuar në veri të Kosovës.

Rama theksoi se ushtria serbe në kufi të Kosovës e ka fuqinë të barabartë me zero. Ai bëri krahasim duke thënë se është njësoj “si ushtria e Meksikës të afrohet në kufirin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

“Jo, jo po përqendrohesha te ajo që shkruhej 'ushtria serbe në kufi'. Kjo është shfaqja më e pabesueshme e politikës së brendshme sepse ushtria serbe në kufi të Kosovës ka një fuqi të barabartë me zero. Është njësoj si ushtria meksikane të shfaqej në kufi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çfarë do të bëhej?! Me gjithë respektin e mundshëm sepse e dua Meksikën! Po çfarë mund të bëjë? Asgjë, absolutisht asgjë. Ka të bëjë vetëm me politikën e brendshme. Bini dakord Kovaçevski me këtë qëndrim?”, ka thënë Rama.

E kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka thënë se dalja e vetme nga kjo situatë është zbatimi i marrëveshjeve nga të dyja shtetet.

“Gjej ndonjë vend tjetër, jo Meksikën! (qesh) Është njësoj si ushtria kubane të shkojë në Florida. Dalja e vetme nga kjo situatë është zbatimi i marrëveshjes mes shteteve në mënyrë që të ketë normalizim”, ka thënë ai në Bratislavë.