Komandanti e FSK-së Gjeneral Lejtnant, Rrahman Rama në një intervistë në Interaktiv të KTV-së ka konfirmuar se kur do të nisë rekrutimi i ushtarëve të rinj të FSK-së.
Ai thotë se detyra e parë e Ushtrisë bazuar në ligjet do ta ketë mbrorjten e territorit dhe sovranitetit të Kosovës.
“Muajt e parë janë fazë e tranzicionit kur FSK-ja shndërrohet në Ministri të Mbrojtjes, dhe më pas do të ndërtohen kapacitetet trajnuese. Ne do të fillojmë fazën e rekrutimit nga fillimi i vitit 2019, që do të jetë gjashtë mujori i parë. Në vitin e parë do të jetë një numër i vogël. Çdo vit do të kemi 250-300 rekrutë të rinj”, ka thënë Rama.
Ai thotë se më pas do të krijohet një akademi ushtarake që do të jetë e hapur edhe për vendin e rajonit.
“Nga viti i ardhshëm do të krijojmë një akademi ushtarake që do të vlejë edhe për rajonin, dhe do të jetë në gjuhë angleze. Në vitin 2019-20 do të ketë kadetë edhe nga vendet e rajonit. Ne do të ndërtojmë kapacitetet trajnuese për misionin e ri. Tashmë kemi filluar ndërtimin e programeve trajnuese”, ka thënë ai.
Edhe
Së shpejti FSK-ja nis fushatën e rekrutimit
Rama ka bërë të ditur gjithashtu se tashmë FSK-ja ka marrëveshje bilaterale me 14 vende të NATO-së, e gjithashtu bashkëpunimi i jashtëzakonshëm sipas tij është me SHBA-në.
“Kemi bashkëpunime të jashtëzakonshme duke filluar me SHBA-në dhe kemi të nënshkruara 14 marrëveshje biletareale. Në prill të vitit të ardhshëm do ta kemi konferencën FSK dhe partnerët. Që nga 2020 do të nisim me procese të tjera. Tashmë në SHBA kemi nisur të hartojmë planin pesë vjeçar”, ka deklaruar ai.
NATO kishte kundërshtuar themelimin e Ushtrisë, duke thënë se nuk është koha e duhur, e Rama insiston se kur kishte pyetur se kur është koha e duhur nuk kishte marrë përgjigje.
“Kam kërkuar të di se kur është koha e duhur për të themeluar ushtrinë por s’kemi marrë përgjigje. Ne duhet ta dimë se vendimet në NATO merren me konsensus, sa është organizatë ushtarake ajo është edhe politike. Ne jemi produkt i NATO-s, dhe të gjitha që kemi janë për shkak të saj, ajo është e mirëseardhur dhe nuk kemi asnjë problem me ta”, u shpreh Rama.
Rama ka theksuar gjithashtu se Ushtria e Kosovës do të jetë gjithëpërfshirëse.
Edhe
Gjeneral Rama: FSK-ja tani është shumë më e trajnuar dhe përgatitur
Ai thotë se FSK-ja nuk e ka të ndaluar të shkojë në veri të Kosovës, megjithatë insiston se nuk është krijuar ushtria për të treguar forcën.
“Ekziston një marrëveshje ndërmjet Qeverisë dhe KFOR-it. Marrëveshja ishte që FSK-ja të mos shkonte në veri pa miratimin e KFOR-it. Nuk shkojmë ne askund pa ftesë. Nuk është qëllimi ynë që të tregojmë forcën. Por, nuk kemi vija të kuqe, e as të bardha. Çdo urdhër a vendim që vjen nga lart unë jam i detyruar ta zbatoj, dhe atë do ta bëjmë”, ka thënë Rama.