Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rama: S'rri më kryeministër nëse shteti vijon të jetë peng i një partie

Kryeministri Edi Rama dha sot një mesazh të fortë, përmes rubrikës "Komunikimi Javor" në Facebook, nëse partitë e vogla, siç tha ai, nuk dalin jashtë pushtetit pas zgjedhjeve të 25 qershorit.

Rama u shpreh se nuk ka asnjë motiv të jetë kryeministër edhe një tjetër katërvjeçar, nëse administrata do vijojë të ndahet sipas kërkesave dhe shantazheve të partive të vogla, raporton Shqiptarja. Mesazhi i Ramës ishte edhe për partnerët e koalicionit, LSI-në, kur tha se nuk do pranojë më asnjë shantazh për ndarjen e pushtetit në të ardhmen.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

"Më lejoni tua them sinqerisht dhe fare troç.

Nuk kam më asnjë motiv të rri në karrigen e Kryeministrit si deri më sot, duke pranuar që administrata e pushtetit të vazhdojë rrijë peng i një partie, duke pranuar që për të marrë votat për një reformë për të bërë shtet, të pranojmë shantazhet dhe listat e kërkesat e partive të koalicionit për të lëshuar drejtorinë në këmbim të votës dhe deri në vende pastruesesh në institucione, për votën për një reformë, duke pranuar dorëzimin përballë këtij kanceri sfilitës në trupin e shtetit që duhet operuar rrënjësisht sot, për të vazhduar ngritjen në këmbë të shtetit shqiptar".

25 qershori, vendim historik për Shqipërinë

"Shqipëria kërkon një vendim historik në 25 qershor. Nëse marrim vendimin e duhur do të bëjmë në katër vitet e ardhshme katërfishin e atyre që bëmë në 44 muaj.

Prandaj, vota e secilit prej jush vlen sa gjithë Shqipëria që duam. Këtë herë vota vendos nëse do bëjmë shumë herë më shumë në katër vitet në vijim, apo do humbasim shumë herë më tepër.

Bëje, se ju siguroj, nuk do të pendoheni asnjëherë", tha Rama.

Votoni PS-në të sikterisim partitë e tepsisë

Kreu i qeverisë tha se partitë e vogla punojnë për interesat e tyre, ndërsa torturojnë qytetarët nëpër zyrat e tyre, ku nuk iu ofrojnë asnjë shërbim pa paguar nën dorë.

"Njerëzve u ka ardhur, ka kohë, në majë të hundës marrëdhënia me zyrat e shtetit, sidomos jashtë Tiranës, ku metastazat e kancerit të ndarjes së pushtetit si tepsi për partitë dhe jo si përgjegjësi e partive, cenojnë keqas funksionimin e kësaj marrëdhënie për shtetin dhe për marrëdhëniet e njerëzve me shtetin.

Partitë e rritura përmes këtij shfrytëzimi kanceroz, përpiqen ta kthejnë këtë thirrje timen për ndihmë nga zgjedhësit, në një luftë politike të ulët, të mbushur me sharje dhe shpifje.

Është punë e tyre, për mua kjo nuk është një luftë politike si kryetar i partisë më të madhe në vend, në garë me partitë tjera, qofshin opozita e këtyre 44 muajve, apo qofshin partnerë të koalicionit tonë në këto 44 muaj. Për mua kjo është një luftë jo vetëm parimore dhe e domosdoshme, por jetike për Shqipërinë që duam. Shqipëria që duam me shtet, punë, mirëqenie, nuk bëhet dot pa një administratë dinjitoze e cila garanton ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë, për barazinë dhe trajtimin e qytetarëve pa asnjë dallim", tha Rama.

Administrata dhe drejtësia tha kryeministri do jenë në dorë të qytetarëve, ndryshe nga 25 vite kur institucionet ua përplasnin derën në fytyrë njerëzve.

Shteti që ne duam duhet të ketë dy porta të hapura, portën e drejtësisë dhe portën e shërbimeve. Këto dy porta që i janë përplasur njerëzve në fytyrë prej 20 e kusur vitesh. Do t'i hapim katër vitet e ardhshme duke pastruar pallatin e drejtësisë nga të korruptuarit.

Nuk u kërkoj demokratëve të bëhen socialistë, apo të ndryshojnë bindjen, por thjesh më ndihmoni për të mos u nëpërkëmbur më në zyrat e shtetit, na jepni mandatin të shkallmojmë derën e patentës, hipotekës, licencave, në emrin e secilit prej jush. Ne nuk kemi luftë me asnjë parti, por jemi në luftë më sitemin e partive që e kanë kthyer shtetin në tepsi. Sa prej jush kanë paguar nën dorë për patentën, kolaodimin e makinës? Nëse doni t'i jepni fund këtij zullumi, iu ka ardhur në dorë mundësia ta bëni me dorën tuaj për t'i sekterisur nga pushteti për këto parti. Të nxjerrim jashtë nga zyrat tregtarët partiakë", u shpreh Rama.

Vasili-Ramës: Pate policinë vetëm, na mbyte me drogë

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili i është përgjigjur sot Edi Ramës, i cili gjatë mitingjeve elektorale në Roskovec, Mallakastër apo dhe nga "Komunikimi Javor" insistoi për vota drejt PS-së në mënyrë që të qeverisë e vetme pas 25 qershorit.

Vasili ka thënë përmes një deklarate të shpërndarë për mediat se Rama pati policinë në dorë dhe e mbyti vendin me drogë. Vasili ka shtuar se Rama po të kishte qeverinë. gjërat do të kishin shkuar edhe më keq për vendin.

"Rama i do gjërat që t'i ketë vetëm. E pati policinë të gjithën vetëm dhe e përmbyti Shqipërinë me drogë. Po ta kishte vetëm të gjithë qeverinë, do ta hidhte Shqipërinë në greminë", u shpreh Vasili.

Ditët e fundit tonet e fushatës elektorale kanë ardhur në rritje, ndërsa ato që bien në sy janë përplasjet në distancë mes PS dhe LSI-së, por nuk mungojnë as thumbimet e Lulzim Bashës në drejtim të ish aletatit të demokratëve.

Edi Rama kërkon votë kundër partive të vogla në 25 qershor, për t'i dhënë fund, sipas tij, ndarjes së pushtetit në tepsi si dhe shantazheve e presioneve të partive të vogla për poste në administratë në këmbim të votave për reformat.

Ndërsa nga ana tjetër, LSI akuzon Ramën se është ai përgjegjës për dështimin e qeverisë në disa sektorë.