Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rama për 100 ditët: S’bëmë vetëm llaf, projektet e mëdha kanë nisur

​“Projektet e mëdha veçse kanë nisur”, ka thënë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, për 100-ditëshin e tij të parë në krye të kryeqytetit. I kritikuar se kjo periudhë do të mbahet mend veç për takimet që ka pasur me akterë tjerë, Rama ka thënë se në takime s’është bërë vetëm llaf, por punë konkrete.

Ai ka thënë se prej tash e tutje me seriozitet do ta marrin mbjelljen e luleve dhe fidanëve në kryeqytet.

Për emisionin 038 në KTV, Rama ka deklaruar se do të dizajnohen edhe hapësira të reja të gjelbra në të gjitha lagjet e Prishtinës.

Rama ka deklaruar se fidanët dhe hapësirat e gjelbra duhet të mirëmbahen.

“Ekipi që mbjellin do ta kenë edhe agjendën e mirëmbajtjes. Kemi probleme të shumta me mbeturinat dhe disa prej arsyeve janë edhe menaxhimi i procesit të kompanisë ‘Pastrimi’ i cili duhet të përmirësohet dukshëm. Arsye tjera janë edhe vëllimi i madh i ndërtesave që ka ndodhur dhe pa planifikim për mbeturina. Një shembull i ngjashëm është në ‘Aktash’. Prej tash e tutje çdo ndërtim i ri duhet të dizajnohet edhe në mbledhjen e mbeturinave. Duhet të dizajnohen zona për mbeturina. Ne jemi në përpilim të rregullores së re ku do të merren lejet e reja për ndërtim”, ka thënë ai.

Sipas tij, nuk do të merren parasysh më vetëm metrat katrorë për ndërtim.

Rama ka folur edhe për protestat e lagjes “Kalabria”. Ai ka thënë se plani për këtë lagje ka qenë i jashtëligjshëm. Sipas tij, lagjja “Kalabria” e ka pasur koeficientin 1.8 dhe është ngritur për pak kohë në 2.4, pa pasur analizë se çfarë ndikimi ka rritja e densitetit.

Edhe Rama: Prishtina po transformohet, por jemi bllokuar nga niveli qendror Zgjedhjet lokale Rama: Prishtina po transformohet, por jemi bllokuar nga niveli qendror

Ai ka thënë se në zonën qendër, koeficienti i lartë nuk është gabim sepse mundëson shërbime më të mira.

“Jemi duke bërë studim ku ndërlidhet trafiku urban me zonat që shërbehen nga spektri privat. Me bankën evropiane e kemi negocimin edhe të 30 autobusëve të rinj”, ka thënë ai, derisa ka folur edhe për 100-ditëshin e tij. “Ne kemi pasur edhe takime të cilat nuk kanë qenë vetëm konsultative. Ne jemi dakorduar me Ambasadën e Luksemburgut për ‘Manifestën’ e cila do të na ndihmojë. Kemi nënshkruar memorandum të mirëkuptimit me Ambasadën e Norvegjisë që të financojë stafet profesionale për zhvillimin e Prishtinës. Ne gjithashtu kemi mbajtur takim me Ministrinë e Mbrojtjes. Të gjitha këto takime kanë arsyeshmërinë e vet dhe nuk janë ‘vetëm po rrimë e po bëjmë llaf’”.

Ai ka thënë se projektet e mëdha kanë nisur, duke shtuar se kanë krijuar bashkëpunim me Institutin Mbretëror të Britanisë që do të ndihmojë në proces të konkurseve për projekte të mëdha.