Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rama me kritika ndaj liderëve kosovarë, thotë se “Open Ballkan” është rrugë e njohjes nga Serbia

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thyer heshtjen pas kritikave të shumta që ka marrë lidhur me iniciativën e “Open Ballkan”, ku Shqipëria ka hyrë bashkë me Serbinë e me Maqedoninë, por që është refuzuar nga Kosova. Kritikave të shumta për “tradhti”, Rama u është përgjigjur me kritika ndaj Prishtinës zyrtare e duke thënë se ndërkombëtarët po e humbin durimin me Kosovën. Madje ai në një postim në Facebook ka thënë se “Open Ballkan” duhet të shihet edhe si rrugë që sjell njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.

Postimin e tij e nisi duke komentuar fotografinë me kampionet olimpike nga Kosova, Distria Krasniqi e Nora Gjakova. Ka thënë se ka përjetuar kënaqësi të veçantë për vizitën e tyre në Tiranë, ndërsa ka shtuar se kur i është kërkuar të dalë në fotografi ka thënë me ironi se “Po unë jam tradhtar, s'dua t'ju hap telashe!".

“Qeshën shumë në fakt dhe i bëmë fotografitë, që kishin dëshirë edhe t'i postoja në faqen time. Mirëpo, siç e prisja, ushtria digjitale e kinse patriotëve matanë kufirit, që të sharat e mallkimet i kanë armët e tyre të luftës qorre të shqiptarit me shqiptarin dhe që s'po dinë hiç çka t'i bëjnë gomarit e po i bien samarit, u lëshua uturishëm në lumin e komenteve të postimit tim. Fali Zot se s'dinë se ç'bëjnë, është më e mira që duhet thënë në këto raste. Dhe falur i kam, ata e kë ata i frymëzon e i ushqen me helmin verbues të urrejtjes, dasisë, frikës nga e ardhmja. Por dy fjalë shkurt s'po i le pa thënë me këtë rast”, ka shkruar ai.

Tutje ai ka thënë se Kosova e ka fituar paqen me ndihmën e ndërkombëtarëve, ndërsa ka shtuar se tash po mundohet t’ia “tregojë babait arat” kur flet me Amerikën, Gjermaninë, Francën a Bashkimin Evropian.

“E bëj këtë pyetje, sepse e kam jetuar në vetë të parë ‘tregimin e arave’, deri në pikën që një lider kosovar i'a futi në sy të Merkelit e Macronit, ‘mu nuk më han luli për kta!’ dhe mu aty e humbi rastin historik t'ia hiqte vizat Kosovës, të cilën e bëri lolo në sytë e aleatëve të saj të pazëvendësueshëm strategjikë me marrëzira kinse patriotike”, ka thënë ai, në një koment që duket se ka qenë për takimin që kishte pasur bashkë me ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, vjet më parë.

Edhe Ftesa e Vuçiqit dhe kërkesa e Ramës që kërkimfalja dhe njohja të lihen në fund Arbëri Ftesa e Vuçiqit dhe kërkesa e Ramës që kërkimfalja dhe njohja të lihen në fund

Më tej, Rama ka thënë se Kosova po e kthen dialogun me Serbinë në një monolog. Për këtë ka thënë se po i acaron nervat e aleatëve të saj strategjikë.

“A mund ta fitojë Kosova paqen dhe a mund të lulëzojë shteti i saj i ri, po edhe shqiptaria si e tërë, duke e kthyer Dialogun me Serbinë në një monolog që nuk i prish asnjë punë Serbisë (përkundrazi acaron prej vitesh tanimë nervat e aleatëve të saj të pazëvendësueshëm strategjikë, të cilëve për krejt fajin e monologuesve të Kosovës, Serbia u duket gjithnjë e më e pafajshme, ndërsa Kosova gjithnjë e më pak e arsyeshme)? E bëj këtë pyetje, sepse prej 8 vjetësh tanimë e dëshmoj në vetë të parë, trajektoren gjithnjë e më në rënie të respektit e të durimit të tyre me Prishtinën zyrtare dhe më dhembin gjithnjë e më shumë shtrembërimet e buzëve të tyre, kur flitet për Kosovën”, ka shtuar kryeministri shqiptar.

Rama ka kujtuar se “sikur të tërë ta mbronin njohjen e Kosovës në gjuhë të huaj të paktën siç e mbroj unë, kudo e kurdoherë, sot Kosova do të ishte shumë më e respektuar ndërkombëtarisht”.

Sa i përket “Open Ballkan”, Rama ka thënë se ajo është mundësi e madhe në rrugën drejt njohjes së Kosovës nga Serbia dhe se e heq kufirin Kosovë-Shqipëri.

“Së dyti, Ballkani i Hapur është jo vetëm rruga e të ardhmes për prosperitetin e kombit shqiptar, si komb europian që përkatësinë e vet e ka në Europën e Bashkuar, por është edhe një mundësi e re dhe e madhe më shumë, në rrugën drejt njohjes së Kosovës nga Serbia; sa për një nga shumë shembuj të dobisë së madhe të Ballkanit të Hapur, kush nuk do që ta kuptojë pse Ballkani i Hapur e heq më në fund kufirin mes Shqipërisë e Kosovës, le të më thotë pse nuk e kanë hequr dot deri më sot, ata që e kanë premtuar me bujë dhe pse nuk e heq dot pa Ballkanin e Hapur atë kufi, asnjë prej atyre të cilëve ‘nuk u han luli’ për aleatët e pazëvendësueshëm strategjikë të Kosovës e të Shqipërisë bashkë, që e mbështesin plotësisht nismën Open Balkan”, ka vazhduar ai.

Në fund Rama ka dhënë përgjigje për ata që po e kritikojnë së fundmi duke thënë se askush s’mund ta bindë “të heqë dorë nga lufta diplomatike për paqe e prosperitet ekonomik e social në Ballkanin e Hapur”.

Edhe Ndaj komenteve në foton me xhudistet, Rama reagon me kritika politikës kosovare Video Ndaj komenteve në foton me xhudistet, Rama reagon me kritika politikës kosovare

“E cila bëhet me mend, krah për krah me aleatët e pazëvendësueshëm strategjikë të Shqipërisë e të Kosovës, e jo me ‘lulin’ e kinse patriotizmit digjital. Koha do të flasë më shumë e më mirë”, ka përfunduar ai.

Rama s’ka pasur asnjë fjalë për ndihmën e Kosovës për fikjen e zjarreve në zonën e Kukësit të hënën në mbrëmje.