Arbëri

Rama kërkon takim urgjent me Qeverinë për krizën e transportit urban: Zgjidhja është e thjeshtë

Përparim Rama

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur gatishmërinë e tij të martën që të gjendet çfarëdo alternative për ta zgjidhur problemin e pagesës së punëtorëve të transportit urban në kryeqytet.

Ai sërish ka fajësuar qeverinë në detyrë për mbajtje peng të mjeteve që duhet të ndahen për komunën. 

“Ne kemi paralajmëruar me muaj të tërë për bllokadat që po i bëhen kryeqytetit prej ministrisë së Financave në mënyrë të jashtëligjshme. Dje ishim edhe me protestuesit përpara Ministrisë së Financave, përpara Qeverisë ku unë kërkova takim urgjent me ministrin e kryeministrin, por ata refuzuan të takohen. Jam edhe sot i gatshëm të takohem menjëherë kudo që ata dëshirojnë dhe ta zhbllokojmë këtë proces. T’i lëmë prapa politikat bllokuese të mbrapshta, fondet që na takojnë me ligj të transferohen menjëherë e të dalin pagat. Jam i gatshëm për çfarëdo mënyre alternative që ta zgjidhim këtë problem e të zhbllokohet procesi. Zgjidhja është shumë e thjeshtë, menjëherë mund të bëhet nga ministri. Fondet janë tonat, nuk ka asnjë bazë ligjore që t’i mbajë peng”, ka thënë ai në konferencën për media.

Rama ka shtuar se janë marrë edhe masa tjera, si thirrja e seancës së jashtëzakonshme për të enjten, ku asamblistët, sipas tij, do të votojnë edhe për bartjen që ka qenë e bllokuar. 

Ai ka shtuar se pasi të zgjidhet çështja me transportuesit urban do të shqyrtohet edhe thirrja për betimin e asamblistëve të rinj.

“Nuk kemi pasur kohë dje e sot të merremi me këtë çështje për shkak të situatës së krijuar”, ka thënë ai.