Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rama i përgjigjet Tahirit, ofendon përkrahësit e vendimit të Metës për Cakajn

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar ndaj deklaratës së Edita Tahirit, e cila e ka përshëndetur vendimin e presidentit Ilir Meta për mos dekretimin e Gent Cakajt. Rama ka pohuar se “çfarë llumi mllefi e terri që ‘vizionarët’ e kësaj kategorie e jashtëqesin si lumë dashurie për kombin!”.

“Ah edhe Edita Tahiri, bashkuar me ca qyqarë që salutojnë vendimin e vizionarit IM! Ah çfarë llumi mllefi e terri që ‘vizionarët’ e kësaj kategorie e jashtëqesin si lumë dashurie për kombin! Genti e dashur Edita i meriton sulmet tuaja aq sa këta ‘vizionarë’ emrin njeri! Po ti xhan?”, ka shkruar Rama në Twitter.

Reagimi i kryeministrit erdhi pas një postimi të Edita Tahirit në Facebook, e cila ka përshëndetur mos dekretimin e Cakajt për ministër të Jashtëm.

“E përshëndes vendimin kombëtar dhe vizionar të Presidentit të Shqipërisë në mbrojtje të kufijve të Kosovës. Ai sot nuk dekretoi një kandidat për ministër të jashtëm që ishte pro prekjes se kufijve, të nominuar qëllimshëm dhe me djallëzi nga kryeministri Rama”, ka shkruar Tahiri.

Ndërkohë, Rama prapë ka shkruar në Twitter duke goditur Metën e duke thënë se Cakaj, është 1000 herë më i ditur se ai.

“Që Presidenti ynë të shkelë Kushtetutën, godasë qeverinë, nëpërkëmbë një djalë të ri e të paktën 1000 herë më të ditur se ai, duke u marrë paturpësisht me fjalë si të ishte Dëshmitari X...Oh çfarë marre! IM me qyqarët e kadrinjtë mbrojnë Kosovën nga një shqiptar i Kosovës. Pupupu”, ka shkruar ai.