Arbëri

Qytetarë e analistë i bashkohen thirrjes për të mos paguar deputetët që s’po arrijnë të kryejnë punë

Rreth 2300 qytetarë i janë përgjigjur një peticioni online ku bëhet thirrje që të mos paguhen deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovë, përderisa ai nuk është funksional.

Organizatorët e këtij peticioni thonë se deputetët nuk duhet të paguhen në kohën kur, sipas tyre, po dështojnë të kryejnë punën e tyre, raporton KTV.

Ata theksojnë se peticioni, gjithashtu, është një thirrje që institucionet e vendit të formohen sa më shpejt.

Pjesëtarë tjerë të shoqërisë civile dhe monitorues të punës së Kuvendit vlerësojnë, gjithashtu, se gjatë kësaj periudhe deputetët nuk do të duhej të pranonin të paguheshin.

Për peticionin e nisur nuk shprehin besim se do të ketë ndikim, por thonë se është mjet demokratik që në këtë rast shton presionin publik ndaj deputetëve.

Qytetarët shprehen të zhgënjyer me situatën e krijuar politike dhe thonë se deputetët nuk duhet t’i marrin pagat gjatë kësaj periudhe.

Peticioni, sipas organizatorëve, do të jetë i hapur në afat të pacaktuar, ndërsa do t’i dërgojnë një reagim Kuvendit dhe Qeverisë për situatën e krijuar.

Ndërkohë, sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, i pyetur nëse ky peticion do të merret parasysh, shkurt është përgjigjur se nuk kanë pranuar ende asnjë peticion, andaj, sipas tij, nuk mund t’i paragjykojnë veprimet e mëtejme.

Që nga 3 gushti kur është thirrur seanca konstitutive, deputetët kanë marrë pjesë edhe në pesë seanca të tjera, por që nuk është arritur konstituimi i Kuvendit.

Dështimi i vazhdueshëm i këtyre seancave, ka ndodhur për shkak që koalicioni PAN, të cilit i takon të propozojë kryetarin e Kuvendit, nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Paga e një deputeti është rreth 1500 euro, ndërsa gjatë këtij muaji ata kanë marrë pagë prej rreth 1300 euro.