Arbëri

Quni: LDK-ja e do formimin e Ushtrisë në bazë të Kushtetutës

Kandidati për deputet i LDK-së, Anton Quni, ka thënë se koalicioni në të cilin ai bën pjesë do të angazhohet që themelimi i Ushtrisë së Kosovës të bëhet në rrugë kushtetuese.

“LDK-ja mendon ta bëjë procedimin në Kuvendin e Kosovës të çështjes së formimit të Forcave të Armatosura të Kosovës duke iu përmbajtur të gjitha parimeve kushtetuese. Pasi që Kushtetuta e parasheh që duhet edhe një numër i caktuar i deputetëve të pakicës të japin pëlqimin për themelimin e Ushtrisë, LDK-ja parapëlqen që transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të bëhet duke respektuar këtë kusht”, ka thënë Quni, në një edicion special të “Interaktivit” në KTV.

Por duke pasur parasysh refuzimin e deritashëm që i kanë bërë përfaqësuesit serbë, Quni ka thënë se duhet një bashkëveprim i mirë me NATO-n dhe SHB-të.

“Tek kur do të shtereshin të gjitha mundësitë për ta bërë me Kushtetutë, do të mund të procedohej që Ushtria të bëhej me Ligj”, ka thënë Quni.

Kujtojmë se ky ka qenë qëndrim i LDK-së edhe në kohën sa ishte në koalicion me PDK-në, ish kreu i së cilës, Hashim Thaçi, në cilësin e presidentit njëherë inicioi e më pas u tërhoq nga ideja për ta bërë me Ligj Ushtrinë e Kosovës.

Këtë rrugë të zgjedhur nga Thaçi nuk e mbështesnin partnerët strategjikë të Kosovës.