Sipas analistit politik Vigan Qorrolli, takimi i 27 qershorit në Washington, është fillimi i fundit për dialogun mes Kosovës e Serbisë.
Në Interaktiv të KTV-së, Qorrolli ka thënë se ftesa nga i dërguari special i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, për dy shtetet që të bisedojnë për dialogun, është sinjal se dy shtetet po shkojnë drejt fundit të dialogut e drejt arritjes së marrëveshjes.
“Do ta shohim nga tavolina e bisedimeve se çka do të diskutohet, por simbolikisht do të shënojë fillimin e fundit. S’duhet të pritet një marrëveshje përfundimtare. Do të ketë deklaratë politike të palëve, që edhe presidentët edhe kryeministrat, por edhe kryenegociatori amerikan, do të lëshojnë deklaratë për synimet dhe vijat e trasha mbi të cilat do të negociojnë veç e veç”, ka thënë ai.
Sipas tij, Kosova duhet të ketë të qartë që të mos lejojë prekjen e territorit dhe të lejojë marrëveshje “të paimplementueshme”.
“Mos pritni askush që një konflikt shekullor të përfundojë në një ditë, madje as më 2020 mund të mos përfundojë. Dialogu duhet të përgatitet mirë. Kemi pengesa territoriale dhe Kosova e liderët tanë që do të udhëtojnë drejt Shtëpisë së Bardhë, nuk guxojnë të kthehen si ‘deja-vu’ e vitit 1999 kur Serbia s’kishte nënshkruar marrëveshje të Rambouilles e për fatin tonë të mirë intervenoi NATO. Po të kemi simbolikë të tillë, ku pritet të jetë aktiv me prezencë edhe presidenti Donald Trump, s’duhet të presim që Kosova të kthehet pa trofe, gjahun e vet. Gjahu duhet të jetë ruajtja e territorit, 17 shkurtit, dokumenti i shpalljes së pavarësisë mbi të cilin derivon gjithçka. Këto dokumente janë të shenjta”, ka shtuar Qorrolli.