Arbëri

Qori për arrestimin e Metës: Drejtësia ende e paplotë, Rama e Veliaj janë të lirë

Arlind Qori

Arlind Qori nga “Lëvizja Bashkë” ka vlerësuar se arrestimi i ish-presidentit Ilir Meta është hap pozitiv për vendosjen e drejtësisë në Shqipëri. Por ka shtuar se drejtësia është ende e paplotë përderisa kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, janë të lirë.

Meta u arrestua më 21 tetor nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK) në Tiranë, nën dyshimet për “korrupsion, pastrim parash, mosdeklarim dhe fshehje të pasurisë”.

Në një intervistë në “Interaktiv” të martën, Qori ka thënë se nuk e kupton se pse debati publik po fokusohet te mënyra se si u arrestua Meta dhe jo te përmbajtja.

“Fatkeqësisht, edhe në Shqipëri më shumë po diskutohet mënyrë e arrestimit të tij. Nuk e di për cilën arsye debati publik refuzon të merret me përmbajtjen, por me spektalizimin e arrestimit. Nuk e di në vendet e tjera të botës si ndodh arrestimi. Më duket debat i parëndësishëm. E rëndësishme është të diskutohet se Meta është fajtor për akuzat. Besoj që Meta dhe politikanët e tjerë që e kanë qeverisur deri më sot Shqipërinë, janë të përfshirë në korrupsion dhe për pasojë, arrestimi i tij është lajm i mirë për vendosjen e drejtësisë në Shqipëri. Megjithatë, drejtësia është ende e paplotë, Rama e Veliaj janë ende të lirë”, ka thënë ai.

I pyetur për pretendimet e SPAK-u po kontrollohen nga Qeveria, Qori ka thënë se ky është pretendimi i atyre që po përballen me të. Por pranon se ka një lloj asimetrie mes figurave që SPAK-u po heton nga partitë opozitare dhe asaj në pushtet.

“Ky është pretendim i atyre që përballen me SPAK-un, i Berishës dhe Metës. Ka ende një lloj asimetrie midis nivelit të figurave që janë nën hetim nga partitë opozitare dhe atyre nga partia në pushtet. Për numër të hetuarish dhe të dënuarish, ka më shumë nga ana e Qeverisë, por janë figura të dorës së dytë. Ndërkohë Berisha dhe Meta janë dy figurat kryesore të opozitës parlamentare. Më duket i tepruar pretendimi se SPAK-u është në dorë të Qeverisë. Ka shumë hipoteza për SPAK-un. Duhet parë deri në fund procesi nëse SPAK-u do të gjejë fuqinë dhe pavarësinë të marrë nën hetim edhe Ramën dhe Veliajn, që janë aq të korruptuar sa Berisha e Meta”, ka deklaruar aktivisti.

Qori ka thënë se i kërkojnë institucioneve të drejtësisë që punën e nisur me Berishën dhe Metën ta vazhdojnë edhe me Ramën e Veliajn. Për këtë, i jep afat SPAK-ut “disa muaj”.

“Në rast se brenda disa muajve nuk kemi akuzë për Ramën dhe Veliajn, e vë seriozisht në pikëpyetje reformën e drejtësisë në Shqipëri. Por duhet pritur para se të japim gjykim”, ka shtuar ai.

“Lëvizja Bashkë” është parti e themeluar në vitin 2022. Për herë të parë mori pjesë në zgjedhjet komunale të vitit 2023, ku kandidoi për Bashkinë e Tiranës me Arlind Qorin. Fitoi vetëm një asamblist ose 13851 vota.

Meta, që ka shërbyer edhe si kryeministër, ministër i Jashtëm dhe kryeparlamentar, është prej figurave më të larta politike që është arrestuar në Shqipëri.

Përveç Metës, në akuza ka përfunduar edhe bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi. Asaj iu shqiptua masa “detyrim paraqitje”.

Sipas SPAK-ut, Meta dhe bashkëshortja e tij “në bashkëpunim mes tyre, por edhe me funksionarë të tjerë publikë, janë përfshirë në kryerjen e disa veprave penale”.

Hetimet ndaj Metës nisën në vitin 2019 në lidhje me aferën e njohur si ÇEZ-DIA, që lidhet me privatizimin e ndërmarrjes së shpërndarjes së energjisë dhe mbledhjen e borxheve të mbetura.

Tre vjet më vonë është hapur një tjetër rast, pas një kallëzimi për pagesa në vlerë të mijëra eurove të padeklaruara nga partia e drejtuar nga Meta, për lobim në Shtetet e Bashkuara.

Dy rastet, më pas, janë shkrirë në një të vetëm më 2024.

Prokuroria e Posaçme thotë se Meta në cilësinë e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, “ka përdorur autoritetin dhe influencën e tij për të ndërhyrë në procesin e përzgjedhjes së kompanisë DIA për të mbledhur borxhet e ÇEZ, edhe pse ajo nuk i përmbushte kriteret ligjore e profesionale”.

Prokuroria thotë se Meta si kryetar i Kuvendit, dhe bashkëshortja e tij si deputete, në vitin 2014 kanë përdorur ndikimin e tyre për të futur në tregun e fibrave optike një kompani dhe kanë përfituar më pas përqindje nga fitimet e kompanisë.

Kryetari i Agjencisë së Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) Piro Xhixho, për të cilin është vendosur masa e sigurisë “arrest shtëpie” është thënë se ka ndikuar te drejtuesit e kompanisë telefonike celulare për finalizmin e marrëveshjes, por nga ana tjetër, ka lejuar kompaninë private të ushtrojë aktivitetin e saj në shkelje të ligjit të AKEP.

Mes tjerash, SPAK ka thënë se Meta dhe Kryemadhi janë përfshirë në marrëdhënie korruptive me një biznesmen (S.M), duke përfituar përkohësisht një vilë si shpërblim për ndikimin e paligjshëm që ata ushtronin ndaj funksionarëve publikë të emëruar nga LSI (tash Partia e Lirisë), në interes të aktiviteteve ekonomike të biznesmenit në fjalë.

Kryemadhi, me porosi të këtij biznesmeni, ka ndryshuar një ligj në Kuvendin e Shqipërisë, thotë SPAK.

Nga hetimet ka rezultuar gjithashtu se Meta e bashkëshortja nuk kanë deklaruar shpenzimet mjekësore të kryera gjatë periudhës 2013-2019, në vlerën totale prej 106 mijë eurosh.