Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

QKSS: 34 % e kosovarëve nuk besonin se ekziston virusi

Rreth 34% e qytetarëve të anketuar në muajin shtator të 2020 nuk besonin se virusi COVID-19 ekziston kundrejt 64% të anketuarve që mendonin se virusi ekziston. Kështu thotë një raport i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) mbi perceptimet e qytetarëve lidhur me pandeminë COVID-19 në Kosovë në kuadër të anketës së Barometrit Kosovar të Sigurisë.

Ndërsa, kur janë pyetur për menaxhimin e pandemisë nga institucionet shtetërore gjatë vitit 2020, të anketuarit kanë vlerësuar me nota negative institucionet qendrore - Qeverinë, Kuvendin dhe Presidencën e Kosovës.

Image

Raporti më tutje thotë se ‘Policia e Kosovës me 74%, institucionet shëndetësore me 68% dhe komunat me 61% janë vlerësuar si të suksesshme në menaxhimin e pandemisë. Megjithatë, gjysma e të anketuarve (53%) ishin shprehur se Qeveria Kurti 1 gjatë periudhës mars-qershor 2020 ka menaxhuar më mirë situatën e pandemisë sesa Qeveria pasardhëse e kryeministrit Hoti gjatë periudhës qershor-shtator 2020 ku vetëm 15% shprehën opinion se ka menaxhuar më mirë pandeminë”.

Marrë parasysh pasojat e mëdha të pandemisë në ekonominë e vendit, pothuajse të gjithë të anketuarit ose 95% e tyre ishin të mendimit se pandemia ka ndikuar negativisht në ekonominë e Kosovës. Për më tepër, të pyetur se si ka ndikuar pandemia në jetën e tyre, 42% e të anketuarve ishin shprehur se ka ndikuar negativisht, 15% të tjera se ka ndikuar negativisht në kushtet socio-ekonomike, 14% se ka ndikuar keq në shëndetin mendor.

Përmes kësaj ankete, qytetarët ishin pyetur për ndikimin politik të vendeve dhe organizatave të huaja ndaj Kosovës gjatë pandemisë COVID-19 në vitin 2020.

“Gjermania është në vendin e parë ku 74% e të anketuarve menduan se shteti gjerman ka pasur ndikimin më pozitiv në Kosovë gjatë pandemisë. Në vendin e dytë janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 64%, e cilat pasohet nga Bashkimi Evropian (62%), Turqia (58%) dhe Mbretëria e Bashkuar (49%)”, thotë raporti.

Edhe Kolumne Optimizmi realist

Rezultatet e anketës tregojnë se vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës nuk perceptohen pozitivisht nga të anketuarit kosovarë, ndërsa edhe nëse ato nuk perceptohen negativisht, të anketuarit janë të paktën të pavendosur ndaj tyre.

“Në këtë drejtim, Kina perceptohet negativisht nga 55% dhe Rusia nga 48% e të anketuarve sa i përket ndikimit të këtyre vendeve gjatë pandemisë në Kosovë” thotë raporti.