Në mbledhjen e fundit të Qeverisë është miratuar nisma për negocim të Programit Kompakt në bashkëpunim me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC). Programi Kompakt ka vlerë prej 234 milionë dollarësh dhe do të përfshijë rezerva dhe arbitrazh të energjisë (bateritë me kapacitet të lartë mbi 200Mwh), si dhe zhvillimin e fuqisë punëtore dhe përfshirjen e grave në sektorin e energjisë. E projekti i dytë i prezantuar është ai i “Solar4Kosovo”, që do të jetë një nga termocentralet më të mëdha diellore në Evropë me kapacitet prej 70 megavatësh
Qeveria Kurti ka premtuar se në mars do ta përfundojë Strategjinë për energji, por kjo, tash kur marsi po përfundon, ende nuk ka ndodhur. Nuk e ka publikuar as draftin se çfarë do të përmbajë kjo strategji.
Por, në mbledhjen e fundit ka publikuar dy projekte të energjisë, atë për blerjen e baterive që ruajnë energjinë dhe projektin për parkun solar.
Sipas Lulzim Sylës, njohës i fushës së energjisë, projektet ndikojnë në stabilitetin energjetik dhe në diversifikimin e burimeve të energjisë.
“Projektet siç është rasti me MCC-në për bateri, është i një rëndësie të veçantë për stabilitetin energjetik të Kosovës, sidomos në rastet kur ka probleme të balancës energjetike mes tregjeve, shkëmbimit të energjisë apo prodhimit të energjisë brenda vendit, pastaj përmes bursës së energjisë do të ndihmojë në stabilitet dhe në pasurim të energjisë”, ka thënë Syla.
Në mbledhjen e fundit të Qeverisë është miratuar nisma për negocim të Programit Kompakt në bashkëpunim me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC). Programi Kompakt ka vlerë prej 234 milionë dollarësh dhe do të përfshijë rezerva dhe arbitrazh të energjisë (bateritë me kapacitet të lartë mbi 200Mwh), si dhe zhvillimin e fuqisë punëtore dhe përfshirjen e grave në sektorin e energjisë.
Fondi do të orientohet kryesisht te bateritë me kapacitet mbi 200 megavat. Rezervat do të përdoren për stabilizimin e frekuencës së luhatshme të rrymës elektrike si pasojë e disbalancës të furnizimit dhe shpenzimit.
Bateritë mund të përdoren për arbitrazh të energjisë apo për ruajtjen e energjisë në orët e hershme të mëngjesit kur shpenzimi është i ulët dhe shfrytëzimit të saj kur konsumi është i lartë.
Ato mund të lidhen shumë lehtë edhe me burime solare, të erës, apo të ngjashme, gjë që do ta përshpejtojë kalimin e Kosovës në burime të ripërtëritshme dhe të qëndrueshme të energjisë.
E projekti i dytë i prezantuar është ai i “Solar4Kosovo’’ që do të jetë një nga termocentralet më të mëdha diellore në Evropë me kapacitet të instaluar prej 70 megavat. Ai është bashkëdyzim i dy komponentëve: distriktit solar të ngrohjes (Termokos) dhe fuqisë fotovoltaike (KEK).
Nëpërmjet këtij projekti synohet shpërndarja e nxehtësisë nga sistemi termik diellor në rrjetin e ngrohjes qendrore në Termokos, që do të furnizojë 12.000 familje ose 60 mijë qytetarë me ngrohje termike në qytetin e Prishtinës.
Qeveria tashmë ka përcaktuar lokacionin për ndërtimin dhe funksionalizimin e këtij projekti në fshatin Shkabaj në komunën e Obiliqit.
Investimi do të jetë në vlerë prej 64 milionë eurosh, prej të cilave 26 milionë do të jenë grant nga Gjermania, ndërsa pjesa tjetër bashkëfinancim nga BERZH-i.
Tashmë, ndërmarrjes publike “Termokos” i janë dhënë në shfrytëzim 4 parcela për realizimin e këtij projekti, si dhe është miratuar edhe këmbimi i paluajtshmërive në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Komunës së Obiliqit për nevoja të sigurimit të lokacionit për realizimin e Projektit të Ngrohjes Diellore “Solar4Kosovo’’.
Ky projekt ndihmon Kosovën për përmbushjen e agjendës së gjelbër.
Por, për t’i paraprirë kësaj, sipas ekspertit Lulzim Syla, nevojitet që strategjia e energjisë të parashohë minimum 1.5 deri në 2 gigavat burime të reja të energjisë së ripërtëritshme, deri në vitin 2030.
“Qeveria duhet të punojë intensivisht në ngritjen e kapaciteteve të reja energjetike, kryesisht në pjesën e infrastrukturës përmes largpërçuesve, trafostacioneve që do të lehtësonin shkëmbimin e energjisë brenda dhe jashtë territorit të Kosovës, me ç’rast do të kishim mundësi që të ftonim edhe investitorë që do të ndihmonin për të implementuar projekte në fushën e energjisë së ripërtëritshme”, ka thënë ai.
Kryeministri Albin Kurti, në emisionin DESKU në KTV, ka thënë të enjten që shkoi se do të kërkojë investime agresive në projekte të energjisë së ripërtëritshme, porse nuk mund të hiqet dorë nga qymyri.
“Ne nuk mund të heqim dorë nga qymyri. Ne do të dëshironim të hiqnim dorë nga qymyri, mirëpo nuk mund të heqim dorë nga qymyri. 95% të energjisë elektrike prodhohet nga termocentralet ‘Kosova A’ dhe ‘Kosova B’. Është e pamundur”, ka theksuar Kurti.
Që nga qershori i vitit të kaluar, Qeveria ka filluar punën me hartimin e strategjisë për energji, porse nuk ka dhënë hollësi rreth përmbajtjes së saj.
Kjo strategji do të ketë vlefshmëri kohore 9-vjeçare, apo nga viti 2022 e deri më 2031.
Deri atëherë, Kosova është zotuar që të përmbushë 30 për qind të kapaciteteve me anë të energjisë së ripërtëritshme.
Kosova vazhdon të jetë e varur nga prodhimi i energjisë prej qymyrit. Me gjithë shtimin e kapaciteteve, prodhimi i energjisë së ripërtëritshme është larg arritjes së caqeve të përcaktuara për të arritur shkallën 30 për qind të pjesëmarrjes deri më 2030. Ndërkohë, potencialet për investime në këtë fushë konsiderohen të mëdha.
Mbi 280 megavat janë kapacitetet e instaluara të energjisë së ripërtëritshme në vend. Edhe pse Kosova konsiderohet se ka potencial për prodhimin e 700 deri në 1 mijë megavat të energjisë vetëm nga era, aktualisht prodhohen vetëm 140 megavat.
Strategjia e energjisë pritet që të vendosë caqet e burimeve të ripërtëritshme dhe të rrisë efiçiencën në industri dhe në amvisëri.
Qeveria nuk ka treguar as nëse do të ketë rindërtim të TC “Kosova A”, ashtu siç kishte deklaruar Bordi i KEK-ut kohë më parë.
Në gusht të vitit të kaluar, Bordi i kësaj ndërmarrjeje kishte njoftuar për disa vendime që ishin marrë për termocentralin “Kosova A”. Aty ishte edhe përgatitja e dokumentit teknik lidhur me termocentralin “Kosova A” dhe përgatitjen e letrës për shprehjen e interesit për rindërtimin e tij.
“Vendimet e BPD-së janë si në vijim: për përgatitjen e draft-dokumentit teknik lidhur me termocentralin ‘Kosova A’, respektivisht përgatitjen e draft-letrës për shprehjen e interesit lidhur me rindërtimin e saj, që do t’i prezantohen aksionarit për vlerësim dhe vendimmarrje. Ky vendim është marrë duke pasur parasysh vjetërsinë e Termocentralit A që ndërlidhet ngushtë me sigurinë e punëtorëve, sigurimin e qëndrueshëm me energji elektrike dhe investimet vjetore të mëdha për mirëmbajtje”, thuhet në komunikatën e KEK-ut lëshuar në gusht.
Por ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se Bordi i KEK-ut nuk i ka nisur procedurat për rindërtimin e “Kosovës A”.
“Formulimi i Bordit të KEK-ut në atë komunikatë nuk ka qenë më i duhuri për atë se çka ata planifikojnë të bëjnë, kjo pas diskutimeve që i kemi pasur me ta”, ka thënë ajo.
Termocentrali “Kosova A” përbëhet nga pesë blloqe punuese. Por, sipas planit aktual në prodhim përdoren dy blloqe, kurse njëri prej tyre është rezervë “e nxehtë “ për shkak të gatishmërisë se tyre të ulët, që është pasojë e vjetërsisë së tyre.
Ditë më parë është finalizuar Parku i energjisë me erë në Shalë të Bajgorës, i cili përbëhet nga 27 turbina me kapacitet të tërësishëm prej 105 megavatësh. Funksional është edhe centrali i erës në Kitkë të Anamoravës me 9 turbina me kapacitet prej 36 megavatësh.
Në Kosovë janë të instaluara panele solare me kapacitet prej 10 për qind, ndërsa sa u përket hidrocentraleve ato janë rreth 80 megavat. Për këto të fundit ka pasur reagime të shumta shkaku i dëmeve që u kanë shkaktuar lumenjve dhe funksionimit të tyre pa leje mjedisore.