Krahas çmimeve të produkteve ushqimore, edhe ato të energjisë elektrike kanë shënuar rritje gjatë muajit korrik. Një megavat orë energji elektrike në bursën hungareze është shitur për mbi 400 euro gjatë korrikut. Ani se në fundjavë ka pasur rënie, të hënën parashihet që çmimi të arrijë sërish në mbi 400 euro. Njohës të fushës së energjisë kanë parashikuar që kriza energjetike do të vazhdojë me ritëm të njëjtë të rritjes edhe gjatë muajit gusht, teksa kanë paralajmëruar se pasojat do të ndihen edhe më 2023. Për këtë arsye, Qeverisë i është kërkuar që të përpilojë një skenar për ballafaqimin me krizën
Luhatje të mëdha në çmimet e energjisë elektrike në bursa hungareze janë shënuar gjatë muajit korrik. Ani se të dielën çmimi për një megavat orë rrymë ishte 224 euro, për të hënën është parashikuar që të shtrenjtohet në rreth 430 euro për megavat.
Rritja më e madhe e çmimit është regjistruar gjatë kësaj jave, pas vendimit të Rusisë për ndërprerjen e furnizimit me gaz. Njohës të fushës së energjisë kanë paralajmëruar një dimër të vështirë për furnizimin me energji elektrike.
Dardan Abazi nga INDEP-i është shprehur i pakënaqur edhe me përgatitjet e Qeverisë për krijimin e stabilitet energjetik gjatë muajve të ftohtë të këtij viti.
“Duhet përshpejtuar procesi i investimeve në burimet e ripërtëritshme të energjisë në mënyrë që gjatë muajve të dimrit të mos varemi krejtësisht nga një burim i energjisë, por të kemi diversifikim të prodhimit. Duhet fuqizuar kapacitetet menaxhuese të KEK-ut, nuk guxojmë të tolerojmë avari të tjera në prodhimin në KEK, të cilat e vështirësuan apo trefishuan krizën vitin e kaluar”, ka thënë Abazi.
Lulzim Syla, ekspert i energjisë, ka rekomanduar që Qeveria ta rrisë sigurinë në asetet energjetike dhe të ketë një skenar në rast të krizës, ashtu të mos rrezikohet dështimi i industrisë dhe të mos ketë ndërprerje të shpeshta të energjisë.
“Duke u bazuar në aspektet e lëvizjeve të ditëve të fundit gjeostrategjike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, do të rekomandoja Qeverinë që ta rishikojë nevojën për rritjen e sigurisë në asetet energjetike të Kosovës, siç janë termocentralet dhe rrjetet energjetike, që të mos kemi probleme të natyrës së sigurisë në nivel vendi, pasi është ndjeshmëri shumë e lartë, duke u bazuar edhe në problemet që janë në rajon, përfshirë edhe luftën në Krainë”, ka thënë Syla.
Burime të KOHËS brenda KEK-ut kanë bërë të ditur se tashmë ka filluar remonti në njërin bllok të “Kosovës B”, që pritet të përfundojë deri në fund të këtij muaji. E në gusht do të hyjë në remont edhe blloku tjetër i këtij termocentrali dhe punimet do të zgjasin për 25 ditë.
Remont do të ketë edhe në bllokun A4 të termocentralit “Kosova A”. Pas kthimit në funksion të tij, punime riparuese do të bëhen edhe në bllokun A3.
Viktor Buzhala, zëdhënës në KEDS, ka bërë të ditur se çmimet e rrymës aktualisht janë pesëfish më të shtrenjta.
“Në krahasim me vitin e kaluar, kur veç çmimet kanë qenë jashtëzakonisht të larta, sigurisht që bazuar në këta indikatorë na pret një dimër mjaft i vështirë. Ne nuk kemi qëndruar duarkryq, jemi duke bërë revizionimin e rrjetit dhe mirëmbajtjen e tij. Jemi duke vazhduar edhe me përgatitje të tjera, në mënyrë që të kemi një dimër sa më të lehtë energjetik, mirëpo kjo sigurisht që varet edhe nga faktorët e tjerë”, ka thënë Buzhala.
Njohës të fushës së energjisë kanë parashikuar se kriza energjetike do të vazhdojë me ritëm të njëjtë edhe gjatë muajit gusht dhe se pasojat do të ndihen edhe në vitin 2023.