Qeverisë së Kosovës është duke iu kërkuar që të jetë më aktive në procesin e dialogut, dhe të jetë ajo që ofron alternativa drejt marrëveshjes përfundimtare.
E kjo, sidomos pas deklaratës së emisarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Escobar ka theksuar rëndësinë e përmbylljes së çështjeve të hapura në Ballkanin Perëndimor.
“Ka ende shumë për të bërë këtu në Ballkanin Perëndimor - integrimi ekonomik i rajonit, kompromise të qëndrueshme dhe zgjidhje të qëndrueshme për mosmarrëveshjet e pazgjidhura kufitare. Le të shërbejë kjo krizë për të siguruar që brezat e ardhshëm këtu në Ballkanin Perëndimor të jetojnë në vende që janë plotësisht të integruara në Bashkimin Evropian, në një Evropë të tërë, të lirë dhe paqësore. Shtetet e Bashkuara duan të jenë partneri juaj në këtë përpjekje. Situata në të cilën ndodhet Ukraina na mëson se duhet të dyfishojmë përpjekjet tona për të arritur një marrëveshje kompromisi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të ndalojmë aktivitetet që kërcënojnë stabilitetin dhe përparimin në Bosnjë-Hercegovinë”, tha Escobar.
Sipas Arbër Fetahut, hulumtues në Grupin për Studime Politike, duke qenë më aktiv në procesin e bisedimeve, Kosova do të mund të shfrytëzonte pozitën që aktualisht ka.
“Besoj që theksimi i Kosovës dhe Bosnjës në këtë letër të Escobar, në këtë qëndrim e vënë në pah përmbylljen e një konflikti të hapur që ekziston ende në Ballkan, ku Serbia nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe ka tendenca ende në Bosnjë e Hercegovinë. Besoj që ky është një ogur i mirë për Qeverinë e Kosovës, që ta përshpejtoj këtë proces dhe të jetë sa më proaktive që ta përmbyll njëherë e mirë mos marrëveshjen me Serbinë dhe ta përmbyll dialogun me Serbinë me njohjen reciproke, pasi vetëm njohja reciproke do ta mbyllte problemin me Serbinë”, tha Fetahu.
Megjithëkëtë, sipas Fetahut, BE-ja duke u marrë me situatën në Ukrainë, nuk duhet të lërë anash bisedimet me Serbinë. Ndonëse, thotë Fetahu, edhe zgjedhjet në Serbi janë pengesë në zhvillimin e tyre.
“Mbështetja për qëllimet dhe vlerat tona të përbashkëta në Ballkanin Perëndimor, tani është më e rëndësishme se kurrë”, ka thënë i dërguari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajcak, pas vizitës në Londër.
Lidhur me deklaratën e Escobarit dhe dialogun, televizionit nuk i janë përgjigjur Qeveria e Kosovës, ajo e Serbisë, por as nga Bashkimi Evropian.