Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Qeveria vlerëson se qendrat për punë sociale asnjëherë s’e kanë pasur vëmendjen e duhur

Qeveria e Kosovës ka vlerësuar se qendrave për punë sociale asnjëherë nuk iu është dhënë vëmendja e duhur.

Në një njoftim për media të Qeverisë është bërë e ditur se kryeministri, Albin Kurti, bashkë më ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kanë pritur në takim përfaqësuesit e qendrave për punë sociale.

Sipas njoftimit ky është takimi i parë që u organizua në një format të tillë nga Ministria e Drejtësisë.

Kurti thuhet se u ka treguar atyre synimet dhe veprimet që Qeveria planifikon në këtë aspekt, ku theksohet se ka veçuar themelimin e Grupit Punues në janar të vitit 2023 i cili do ta bëjë një analizë të detajuar të gjendjes në këto Qendra, në raport me përgjegjësitë, sfidat dhe kapacitetet njerëzore dhe profesionale.

“Më tej në kuadër të Agjendës Legjislative është paraparë projektligji për shërbimet sociale që parasheh një reformë të thellë në Qendrave për Punë Sociale, pasi edhe pse janë 38 qendra në të gjitha Komunat e Kosovës dhe ofrojnë më shumë se 70 shërbime për qytetarët, atyre asnjëherë nuk iu është dhënë vëmendja e duhur. Me këto dy dokumente Qeveria synon fuqizimin e qendrave përmes shtimit të kapaciteteve, obligimin për profilizimin e stafit të tyre në mënyrë që të njëjtit të jenë në gjendje t’ju shërbejnë nevojave të qytetarëve sikurse edhe fuqizimin e mekanizmit të Inspektimit në rastet kur dyshohet për dështim të kryerjes së përgjegjësive”, thuhet në njoftim.

Shërbimet e këtyre Qendrave deri më 1 janar kanë funksionuar në kuadër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, ndërkaq nga ajo kohë e tutje këto shërbime kanë kaluar në Ministrinë e Drejtësisë.