Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Qeveria Thaçi nënshkroi kontratë me uzurpator

Një darkë e shtruar nga Zyra e Kryeministrit për 36 persona në qershor të vitit 2011 i ka kushtuar plot 648 euro apo 18 euro për person.

Ajo çka e bënë të veçantë këtë darkë ishte se po mbahej në një hotel që zhvillonte veprimtarinë në një objekt të uzurpuar.

Hotel “Victory”, në pronësi të ish-deputetit të PDK-së, Bedri Selmanaj, nga Agjencia Kosovare e Privatizimit është konsideruar si objekt i uzurpuar.

Një nga kontratat e siguruara nga BIRN në kuadër të dosjes “Sa han shefi”, është e datës 26 qershor 2011, kur “Victory” konsiderohej objekt i uzurpuar. Kontratat është nënshkruar nga Abelard Tahiri që e përfaqësonte ZKM-në.

Fatura e darkës pasqyron se menyja për mysafirët ishte e plotë, duke filluar nga paragjella, sallata sezonale, mish viçi e pule me garniturë të kompletuar e deri të pijet joalkoolike të pakufizuara.

Hotel “Victory” sipas përgjigjes nga Agjencia Kosovare e Privatizimit ka qenë i shfrytëzuar dhe uzurpuar nga viti 1999 deri në qershor 2016, kur është liruar me asistencën e Policisë së Kosovës.

Objekti i ish-hotelit “Victory” tashmë shërben si stacion policor.

“Periudha gjatë së cilës ky objekt ka qenë i shfrytëzuar dhe uzurpuar është 1999 – qershor 2016”, thuhet në përgjigjen e AKP-së për KALLXO.com.

Po sipas përgjigjes së AKP-së, hotel “Victory” ushtronte aktivitetin e vet në ndërtesën administrative në pronësi të Ndërmarrjes Shoqërore “Auto Prishtina”, e cila administrohej nga AKP-ja.

“Lidhur me Hotel Victory duhet theksuar se gjate kësaj periudhe në proces ishte edhe kontesti gjyqësor në mes te Ndërmarrjes Shoqërore Auto Prishtina administruar nga AKP dhe Hotel Victory e cila zhvillohej ne Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme. Hotel Victory në vazhdimësi kishte refuzuar të lidhë marrëdhënie kontraktuale të qiramarrjes me AKP dhe rrjedhimisht në Qershor 2016 AKP me asistencë të Policisë së Kosovës kishte liruar pronën”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.

Hoteli “Victory” është pronë e biznesmenit Bedri Selmani. Për shumë vjet ai ka qenë pjesë e strukturave të PDK-së, ndërsa për një mandat ka qenë edhe deputet i kësaj partie në Kuvendin e Kosovës./Kallxo.com

Artikuj të ngjashëm