Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Qeveria synon një mekanizëm të ri për të luftuar korrupsionin

Sundimi i ligjit është prioritet kryesor i Qeverisë së Kosovës i përfshirë në programin e saj qeverisës, raporton KTV.

Luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, qeveria synon ta bëjë nëpërmjet krijimit të një mekanizmi të ri.

“Objektiv i qeverisë sime është që në mandatin katërvjeçar të korruptuarit dhe rrjetet kriminale të ballafaqohen me fuqinë e shtetit ligjor. Ne do ta ndryshojmë dhe avancojmë kornizën ligjore në fushën penale dhe do të zhvillojmë rishikimin e plotë dhe funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit. Në këtë kuadër, Kosova të themelojë Byronë Nacionale të Hetimeve dhe do të ndërtohet procesi i ri i verifikimit të sigurisë (vetingut), porse shumë më përmbajtjesor dhe të plotë në krahasim me atë të vitit 2009.” Betim Musliu, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, e sheh si hap pozitiv këtë nismë të qeverisë, ndonëse thotë se kanë propozuar edhe më herët për krijimin e një Prokurorie dhe Gjykatë Speciale për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Burim Ramadani, nga Qendra Kërkimore për Politikat e Sigurisë, e sheh të domosdoshme krijimin e Byrosë Nacionale të Hetimeve, e cila do të merrej veçanërisht me luftimin e nivelit të lartë të korrupsionit në vend. Përmes programit qeverisës, qeveria zotohet se pasuria e fituar në aktivitetet kundërligjore do t’i kthehet të mirës publike dhe zvogëlimin e lëndëve të pazgjidhura.