Arbëri

Qeveria synon “disiplinimin” e administratës publike me projektligjin e ri

Për “disiplinim” të administratës publike Qeveria e Kosovës përkatësisht Ministria e Punëve të Brendshme e ka përgatitur një draft të Projektligjit për Inspektimin Administrativ.

Më këtë draft Inspektoratit administrativ do t’i lejohet që të hyjë në zyrë apo çfarëdo objekti dhe të ketë qasje në pajisje të caktuara pa paralajmërim, pa leje të subjektit të inspektuar dhe pa marrë parasysh oraret e punës.

Inspektori do të ketë të drejtë të hyjë në zyrë me gjithë dëshirën e subjektit të inspektuar edhe me asistencë të Policisë në rast se refuzohet.

Më tej në ligj thuhet se gjatë inspektimit, inspektori ka të drejtë të inspektojë dokumentacionin elektronik e fizik, të fotokopjojë dokumente, të kopjojë audio-video incizime, të fotografojë persona, lokale dhe ndërtesa për qëllime të inspektimit.

Për paligjshmëritë eventuale Inspektorati mund të shqiptojë gjoba nga 500 deri në 3000 euro.

Të gjitha këto elemente të këtij draftligji u diskutuan të martën edhe në mbledhjen e Asociacionit të Komunave të Kosovës, të cilët u shprehën të shqetësuar se një ligj i tillë ka qasje policore dhe minon demokracinë.

“Ky inspektori a duhet me qenë hetues, prokuror? Nuk mendoj që duhet me leju që një ligj i tillë me u miratu me vu kontroll le të themi policor. Nuk e di a po bëhet fjalë për demokraci, parime, norma”, tha kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi.

“Tendencë për krijimin e një gestapoje”, tha nënkryetari i Drenasit, Arben Shala.

Kjo u konsiderua edhe ndërhyrje në punën e prokurorisë e të gjyqësorit.

Përveç përfaqësuesit të Komunës së Podujevës, kryetarët e pranishëm të komunave votuan unanimisht kundër procedimit të këtij ligji në instancat e tjera.

Por, ndryshe nga kryetarët e komunave, elementet e këtij ligji nuk po shihen si rrezikim i demokracisë nga shoqëria civile, ndonëse ligjin nuk e shohin si diçka që do të funksiononte.

“Në vend që të krijohen mekanizma të rinj të tipit inspektimit administrativ e cila propozohet që të themelohet si Agjenci në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ne mendojmë që duhet të forcohen mekanizmat ekzistues të llogaridhënies që janë të mjaftueshëm sipas legjislacionit tonë”, tha Naser Shamolli nga Grupi për Studime Politike e Juridike.

Lidhur me këtë çështje KOHA gjatë ditës ka kërkuar përgjigje edhe nga BE-ja, por nuk ka marrë një gjë të tillë.