Kabineti qeveritar ka proceduar për shqyrtim në Kuvend Projektligjin për paga.
Procedimi i Projektligjit është bërë pa asnjë votë kundër dhe me një abstenim nga ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi.
Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar e ka arsyetuar këtë projektligj, ndërsa ministri i Financave Bedri Hamza tha se voton pro projektligjit, por sipas tij ndikimi buxhetor nuk duhet rrezikuar stabilitetin makrofiskal, transmeton KP.
Në lidhje me këtë Projektligj ka reaguar edhe ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi , i cili tha se gradimi ose koeficienti i pagave të mësimdhënësve nuk duhet të jetë më i ulët se në sektorët tjerë, ngase mund ta degradojë sistemin arsimor.
Sipas tij, koeficienti për pagat në arsim është më i ulët se në sektorët tjerë, për çka ka abstenuar me votë. Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se me këtë projektligj nuk ka ulje të pagave, përveç pagës së kryeministrit.
Sot administrata e kryeministrit hyri në grevë dy orëshe për shkak të diskriminimit për paga.
Në mbledhjen e sotme kabineti qeveritar ka proceduar për në Kuvend edhe propozim - vendimin në lidhje me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Festat Zyrtare në Kosovë.