Arbëri

Qeveria pritet të vendosë rreth vendimit të OAK-së për rastin e Agonis Tetajt

Pas shkresave nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës e nga Ministria e Drejtësisë që Oda e Avokatëve të mos e kontestojë vendimin e gjyqësorit për përjashtim të avokatit të Shaban Gogajt, MD-ja e ka proceduar në Qeveri kërkesën që OAK-së t’ia ndalojë ekzekutimin e vendimeve. Kjo është mirëpritur nga anëtarë të Këshillit të Odës, ndërkohë që kryetari i OAK-së thotë se qëndrojnë të palëkundur

Ministria e Drejtësisë e ka proceduar në Qeveri kërkesën që në mbledhjen e radhës të vendoset për ndalimin e ekzekutimit të vendimeve të Odës së Avokatëve të Kosovës. Në një përgjigje për KOHËN, MD-ja ka thënë se vendimi i Odës nuk ka bazë ligjore dhe se si ministri i kanë ndërmarrë të gjitha veprimet për adresimin e veprimeve, siç kanë thënë, të kundërligjshme dhe absurde të Këshillit Drejtues të Odës së Avokatëve.

“Ministria e Drejtësisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi, ka ndërmarrë të gjitha veprimet për adresimin e veprimeve të kundërligjshme dhe absurde të Këshillit Drejtues të Odës së Avokatëve. Në përputhje me Ligjin për Avokatinë, neni 44, kemi proceduar në mbledhje të Qeverisë kërkesën për ndalim të ekzekutimit të vendimeve të Odës, pa bazë ligjore” thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.

Në nenin e përmendur nga MD-ja, thuhet se “Qeveria e Kosovës mbikëqyr ligjshmërinë e akteve të përgjithshme të Odës së Avokatëve dhe ka të drejtë që deri në vendimin e Gjykatës kompetente, ta ndalojë ekzekutimin, e aktit i cili është në kundërshtim me ligjin”. E gjithë kjo situatë u krijua pasi që Oda e Avokatëve të Kosovës, edhe pas thirrjeve e shkresave të dërguara nga MD-ja e KGJK-ja nuk u tërhoq nga vendimi për mosemërimin e një avokati të ri mbrojtës për Shaban Gogajn, i akuzuar për vrasjen e Agonis Tetajt.

Një veprim i tillë i Ministrisë po shihet si i drejtë nga anëtarë të Këshillit drejtues të OAK-së.

Blerim Ademaj, kryetar i OAK-së, dega në Pejë, ka thënë se do ta respektonte vendimin e Qeverisë.

“Këtë na ka thënë me shkresë KGJK-ja, e që ne duke vepruar në këtë mënyrë po e rrezikojmë bashkëpunimin me KGJK-në, në interes të avokatëve, po ashtu edhe bashkëpunimin me Ministrinë e Drejtësisë dhe nuk po bëjmë hapat e duhur, për të përfaqësuar drejt imazhin e OAK-së” është shprehur ai.

Por, Ademaj i pyetur se nëse do pranonte të e përfaqësonte këtë palë, ai ka thënë se po.

“Unë personalisht, patjetër që do të pranoja të angazhohesha ex officio në këtë rast, mirëpo nuk kam mundësi, sepse jam i ngarkuar me lëndë të tjera”, ka thënë ai.

Bllokimi i rastit për vrasjen e Tetajt ka nisur pas përjashtimit të avokatit të Gogajt.

Oda e Avokatëve atëkohë vendosi që të mos dërgojë avokat tjetër mbrojtës për të pandehurin Gogaj.

Megjithatë, Oda e Avokatëve të Kosovës nuk tërhiqet nga vendimi, duke thënë se kjo është për të mirën e avokatëve. Bujar Ejupi, kryetar i OAK-së, në një intervistë për KOHËN, ka thënë se janë në përgatitje të raportit të kërkuar nga Ministria e Drejtësisë, në lidhje me vendimet dhe rrjedhën e këtij rasti, dhe se nuk janë në dijeni, se çka do dërgojë, MD-ja, në Qeveri.

“Unë ju them se Oda është shumë e vendosur që të mbrojë të gjithë avokatët në nivel republike, jo vetëm në rastin konkret, por në çdo rast ku një avokat mund të pengohet, atëherë Oda e Avokatëve do të jetë në mbrojtje të tyre”, ka thënë Ejupi, i cili theksoi se shpreson se KGJK-ja e MD-ja do të reflektojnë për këtë.

KOHA ditë më parë ka raportuar për dy letra që i janë drejtuar Odës së Avokatëve nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës e MD-ja, nëpërmjet të cilave është thënë se kjo odë po paraqet pengesë në këtë çështje të ndjeshme penale, dhe se nuk duhet ta kontestojë vendimin e Gjykatës së Pejës.

KGJK-ja e ka ftuar OAK-në ta zhbllokojë procesin, që ka tronditur gjithë vendin, falë edhe video-incizimeve të publikuara nga babai i Agonis Tetajt. Ndërkohë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në letrën nisur Ejupit më 7 dhjetor, i ka kërkuar që në afat prej 30 ditësh ta njoftojë ministrinë me shkrim për veprimet që i ka marrë OAK-ja lidhur me kërkesën e Gjykatës kompetente për caktimin e një avokati mbrojtës për këtë çështje.