Arbëri

Edhe qeveritarët me vërejtje për draftstatutin e Asociacionit

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka deklaruar se draftstatuti i Asociacionit nuk është edhe aq i mirë, porse ka thënë që ai nuk e ofron asnjë lloj autonomie për veriun e Kosovës, të banuar kryesisht me serbë. “Drafti është jo shumë i mirë, drafti ka mjaft sfida, respekton shumë prej shqetësimeve tona prej së kaluarës dhe mendoj se është një bazë e mirë për të punuar me të”, ka thënë ajo, teksa ka shtuar se po të varej nga Ekzekutivi, përmbajtja e këtij dokumenti do të publikohej menjëherë. Për mospublikimin e përmbajtjes, kryeministri Albin Kurti është arsyetuar sërish të premten me konfidencialitetin e procesit

Rreth një muaj pasi që e kanë pranuar draftin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të propozuar nga Bashkimi Evropian (BE), përfaqësues shtetërorë kanë folur për problemet që mund t’i sjellë përmbajtja e dokumentit.

Pas presidentes Vjosa Osmani, e cila më herët ka thënë se disa elemente të draftit përbëjnë problem, shqetësime të premten kanë shprehur edhe zyrtarë qeveritarë.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka deklaruar se draftstatuti i Asociacionit nuk është edhe aq i mirë, porse ka thënë që ai nuk e ofron asnjë lloj autonomie për veriun e Kosovës, të banuar kryesisht me serbë.

“Drafti është jo shumë i mirë, drafti ka mjaft sfida, respekton shumë prej shqetësimeve tona prej së kaluarës dhe mendoj se është një bazë e mirë për të punuar me të”, ka thënë ajo, teksa ka shtuar se po të varej nga Ekzekutivi, përmbajtja e këtij dokumenti do të publikohej menjëherë.

“Ju lus të keni pak durim sa i përket draftit, pasi që ju siguroj se nuk ka asnjë tentativë apo përpjekje dhe vullnet të kësaj qeverie e institucioneve për të pranuar drafte, të cilat janë në dëm të Kosovës”, ka thënë Gërvalla në një deklarim para mediave.

Problematikat e dokumentit nuk ka pranuar që t’i nxjerrë në pah kryeministri Albin Kurti. Ai të premten është arsyetuar sërish me konfidencialitetin e procesit.

“Tash i përket ndërmjetësit që ta bëjë publik draftin dhe kjo është arsyeja pse unë nuk i bëj dot publike vërejtjet dhe kritikat e mia. Besoni që ka akterë të ndryshëm që mezi presin që unë të bëj shkelje të procesit dhe të procedurave, dhe kjo do ta dëmtonte përfaqësimin e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka theksuar se më 26 tetor në Bruksel me anë të mospranimit për të nënshkruar pakon, pjesë e së cilës është edhe drafti i Asociacionit, është humbur “një shans unik, i jashtëzakonshëm që të vuloset normalizimi”. Kurti ka shtuar se me refuzimin për të vendosur firmë, Serbia ka dëshmuar se kërkesën për Asociacionin e ka për serbët e Kosovës, por kundër Kosovës.

“Kur nuk e kemi nënshkrimin për normalizim, rrjedhimisht nuk kemi as pranim të vërtetë nga ana e Serbisë dhe as zbatim në terren”, ka thënë kryeministri.

Xani: Hartimi i draftstatutit nga Qeveria do të evitonte problemet

Analisti politik, Visar Xani, ka vlerësuar se shqetësimet mbi përmbajtjen e draftstatutit do të mund të evitoheshin, po qe se dokumenti do të hartohej nga vetë Qeveria.

“Konsideroj që kryeministri Kurti do të duhej qysh në fillim të mandatit të tij ta kuptonte situatën dhe të fillojë draftimin e këtij statuti, dhe të mos na vijnë propozime evropiane”, ka thënë ai.

Krahas shqetësimeve për përmbajtjen, Xani ka thënë se problematike do të jetë edhe çështja e zbatimit të dokumentit, në rast se hasen paqartësi nga Gjykata Kushtetuese.

“Po del që në fund, Gjykata Kushtetuese do të vendosë mbi këtë draft, por pastaj mbetet pjesa tjetër politike për të parë se si do të ketë zbatueshmëri aspekti i Gjykatës Kushtetuese: a do të na kërkohet pra një ndryshim kushtetues apo nuk do të zbatohen ato nene. Në këto pika nuk shohim qartësi në marrëveshjet e kaluara dhe mbetet një rrezik potencial”, ka thënë ai.

E deklarimet e zyrtarëve qeveritarë mbi problemet e propozimit të BE-së, analisti Xani i ka parë edhe si një parapërgatitje e publikut për atë që do të publikohet më vonë.

“Ky është një lloj paralajmërimi për opinionin që nuk është ai drafti ideal që këta e kanë pretenduar, por që është një draft i detyrueshëm për shkak të zhvillimeve qofshin në rajon, qofshin në gjeopolitik”, ka vlerësuar ai.

Kurti: Serbia ka shkelur 8 nga 11 nenet e Marrëveshjes së dakorduar në Bruksel

Pakoja e propozuar nga emisarët evropianë, përveç draftstatutit të Asociacionit, përmban edhe Marrëveshjen Bazë të arritur më 27 shkurt në Bruksel, si dhe aneksin e saj të dakorduar një muaj më vonë në Ohër. Zyrtarë të Qeverisë kanë thënë se bëhet fjalë për një sekuencim të balancuar të zbatimit të marrëveshjes së dakorduar, por hollësi nuk kanë ndarë deri më tani.

Tek ka folur mbi dakordimin e arritur më 27 shkurt në Bruksel, kryeministri Kurti ka thënë se gjatë nëntë muajve, Serbia ka shkelur së paku 8 nga 11 nenet e marrëveshjes bazë.

“Në kushtet kur kemi këso shkeljesh të marrëveshjes, ne konsiderojmë që aq më tepër nënshkrimi i saj është i domosdoshëm, sepse nënshkrimi është ai i cili anulon shkeljet dhe garanton pranim dhe zbatim të qëndrueshëm”, ka thënë Kurti të premten.

Kosovës i është propozuar nga ndërkombëtarët draftstatuti i Asociacionit, një muaj pas sulmit të grupit të armatosur serb në Banjskë të Zveçanit, ku ka mbetur i vrarë rreshteri i Policisë. Afrim Bunjaku.

E, dy muaj pas këtij sulmi, kryeministri Kurti u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që t’i publikojnë rezultatet e hetimit dhe ta ndëshkojnë Serbinë.

“Pas barrikadave trejavore në dhjetorin e vitit kaluar, pas rrëmbimit të tre policëve në mesin e qershorit të këtij viti, pas plagosjes e dëmtimit të 93 ushtarëve të NATO-s, dhjetëra policëve e gazetarëve, nuk kemi nevojë edhe për një episod të radhës të dhunës ekstreme që vjen nga fqinji ynë verior dhe për të mos ndodhur kjo është i nevojshëm edhe konkluzioni i hetimeve të Bashkimit Evropian, KFOR-it, EULEX-it, SHBA-së në njërën anë, por edhe sanksionet, masat ndaj Serbisë në anën tjetër”, ka thënë ai.

Sipas Kurtit, masat ndëshkuese dhe sanksionet për Serbinë kërkohen në mënyrë që të mos ketë përsëritje të situatave të dhunshme.

“Nuk mund ta tolerojmë, nuk mund ta durojmë çfarëdo përsëritje që i ngjan asaj të 24 shtatorit si sulm terrorist e kriminal dhe për këtë arsye duhet që të veprohet tash e jo nesër”, ka thënë kryeministri.

Pas sulmit në Banjskë, ndërkombëtarët nuk kanë arritur që të ulin njërin pranë tjetrit kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Autoritetet kosovare kanë insistuar se sulmi në Banjskë të Zveçanit, komunë kjo e banuar kryesisht me serbë, ka ndryshuar gjithçka në dialog. “Negociata me Serbinë pas 24 shtatorit, para marrjes së masave serioze, para marrjes së sinjaleve të qarta nga BE-ja drejtuar Serbisë, negociata të kohëve të vjetra nuk do të ketë më. Ne përpiqemi të jemi konstruktivë, ne jemi konstruktivë në qasjen ndaj partnerëve tanë, mirëpo nuk kemi iluzione që Serbia nuk është e interesuar për dialog”, ka thënë ministrja e Jashtme, Gërvalla.

Për sulmin në Banjskë, kryeministri Kurti ka fajësuar Serbinë. Krahas kësaj, ai ka thënë se draftstatutin e propozuar nga ndërkombëtarët do ta pranojë, vetëm nëse Serbia bindet që në pako të firmosë edhe Marrëveshjen Bazë e edhe Aneksin e Zbatimit.