Qeveria e Kosovës pritet që të themelojë një task-forcë për mobilizimin e ndikimit të krizës në tregun e energjisë në Kosovë.
Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur për KOHËN se aktualisht Kosova nuk është prekur nga kjo krizë pasi që kërkesa vendore mbulohet kryesisht nga gjenerimi vendor me energji elektrike.
“Përderisa kërkesa për energji rritet përtej kapaciteteve gjeneruese, gjë që ndikon në rritje të importit, atëherë ne bëhemi më të hapur ndaj krizave rajonale në treg të energjisë. Sidoqoftë, në takimin e zhvilluar në Ministrinë e Ekonomisë, është dakorduar të iniciohet krijimi i një taskë-force vendore me KOSTT, KEDS/KESCO, ZRRE, dhe KEK-un. Kjo task-forcë do të jetë e nivelit teknik dhe për qëllim ka koordinimin për dhënie të informacioneve dhe sugjerimeve se si duhet të përgatitemi në rast të thellimit të kësaj krize në Evropë dhe ndikimit të saj në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e ME-së.
ME-ja ka bërë të ditur se janë duke përcjellë zhvillimet në Evropë dhe masat që po shqyrtohen nga shtetet evropiane për t’u përballur me krizën.
Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës i ka bërë thirrje Qeverisë Kurti që ta rishqyrtojë vendimin për gazsjellësin, duke përmendur mundësinë që vendi të futet në krizë energjetike.
Kreu i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se refuzimi i Qeverisë për grantin amerikan, në vlerë rreth 200 milionë dollarë, i bën dëm të madh vendit në perspektiven afatgjate.
“Ne do duhej që të realizonim një projekt të tillë, të futeshim në kredi që u takon gjeneratave të tëra që do të vinin. Në këtë rast po flasim për një mbështetje që vjen nga SHBA-ja. Një pjesë e vendeve, gazin e kanë si një alternativë të rëndësishme sepse ne, sidomos gjatë dimrit, për t’u ngrohur me energji elektrike, është shumë e shtrenjtë. Dhe në anën tjetër jemi duke shkatërruar natyrën, me prerjen e drurëve që ndodhë në vazhdimësi. Duhet të marrim hapa sa më parë”, ka thënë Tahiri.
Ditë më parë, Qeveria ka thënë se nuk do të merren vendime mbi projektin e gazsjellësit pa u ditur kostoja.
Në përballje me krizën që ka kapluar Evropën, Qeveria u bën thirrje qytetarëve që të jenë më të kujdesshëm në përdorim të energjisë elektrike dhe aq sa është e mundur të mos përdoret për ngrohje gjatë dimrit.
Masat, sipas saj, do të merren varësisht nga nevoja, por tash për tash nuk është e nevojshme.
Shkaku i krizës energjetike, fabrika e “Feronikelit” që është vetëfurnizuese e energjisë ka ndalur prodhimin.