Arbëri

Qeveria nuk jep sinjale se po përgatitet për fazën pas 4 shtatorit

Më pak se një muaj para përfundimit të moratoriumit që ndalon aplikimin në organizata ndërkombëtare, Qeveria nuk ka treguar nëse është në përgatitje të ndonjë strategjie për t’i dhënë fund shterpësisë sa u përket njohjeve dhe anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare. Përfaqësues të opozitës thonë se pauzën prej një viti Qeveria do duhej ta shfrytëzonte për t’u përgatitur që pas 4 shtatorit të aplikojë menjëherë në disa prej organizatave të rëndësishme

Asnjë sinjal nuk ka dhënë Qeveria e Kosovës nëse po përgatitet për fazën pas 4 shtatorit, kur skadon moratoriumi për aplikim në organizata ndërkombëtare. Ministria e Punëve të Jashtme e as Zyra e Kryeministrit nuk kanë treguar nëse janë duke hartuar ndonjë strategji për t’i dhënë fund shterpësisë sa u përket njohjeve dhe anëtarësimeve. Megjithëse publikisht kanë kundërshtuar pikën që derivon nga Marrëveshja e Washingtonit, Qeveria aktuale nuk ka bërë asnjë aplikim deri më tani.

“Kosova (Prishtina) do të pajtohet që ta zbatojë një moratorium njëvjeçar, për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare. Serbia (Beogradi) do të pajtohet ta zbatojë një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e saj për çnjohje dhe do të përmbahet nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare ndaj ndonjë vendi ose organizate ndërkombëtare, që të mos e njohë Kosovën (Prishtinën) si shtet të pavarur. Të gjitha marrëveshjet për të hequr dorë do të hyjnë në fuqi menjëherë”, thotë pika e fundit e marrëveshjes së 4 shtatorit të vitit të kaluar.

As anëtarët e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme nuk kanë informata për qasjen që synon ta aplikojë Qeveria.

“Kjo qeveri e pati kundërshtuar shumë Marrëveshjen e Washingtonit dhe moratoriumin për ndaljen njëvjeçare për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Tash po e shohim se një vit veç shkoi pasi marrëveshja është arritur në shtator dhe nuk e di nëse Qeveria ka ndonjë nismë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, a kanë punuar në këtë drejtim. Unë kam kërkuar sqarime edhe në dy seancat e fundit nga zyrtarët e Qeverisë, por ata nuk kanë ofruar përgjigje”, ka thënë Time Kadrijaj (AAK).

“Qeveria duhet të përgatitet, sepse nuk mund të aplikojë ‘ad hoc’ në organizata ndërkombëtare, sepse ju e keni parë që për pak nuk kemi arritur të anëtarësohemi as në UNESCO as në INTERPOL. Kjo periudhë njëvjeçare është dashur t’i shërbejë Qeverisë si fazë parapërgatitore, të përgatitet mirë, sepse edhe këto procese po kërkojnë lobim tek shtetet veç e veç. Ka pasur vende që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ndërsa nuk na kanë votuar për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe ne tash si qeveri e si parlament duhet me pasë qasje edhe tek këto vende”.

Ndërkaq anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Teuta Sahatqija, ka përmendur organizatat në të cilat duhet të konsiderohet aplikimi.

“Janë Këshilli i Evropës, INTERPOL-i, UNESCO e shumë organizata të cilat me përgatitje të duhur do të ishin të gatshme të aplikojnë”, ka potencuar Sahatqija.

“Marrëveshja e Washingtonit ka ndalur për një vit fushatën e çnjohjeve nga ana e Serbisë, në anën tjetër ka ndalur aplikimet e Kosovës në organizata ndërkombëtare (jo ato rajonale). Por nuk ka penguar përgatitjet për anëtarësime. Në fakt ky vit është dashur të jetë vit me shumë angazhime, përgatitje e lobim për anëtarësime te shtetet e ndryshme”.

Në anën tjetër, sipas saj, do të duhej vigjilencë dhe përgatitje nga ana e MPJ-së për pengimin e çnjohjeve.

“Nga Ministria e Jashtme nuk ka pasur asnjë indikacion që është duke u përgatitur për fazën pas 4 shtatorit. Dua të besoj se janë duke u kryer përgatitjet në heshtje të plotë nga ana e MPJ-së, por duke parë punën e deritashme të kësaj ministrie thjesht dyshoj se ky është rasti”, ka potencuar ajo.

Megjithëse nuk jepet ndonjë afat, në programin e Qeverisë thuhet se do të paraqitet kërkesa për anëtarësim në BE, NATO dhe Kartën e Adriatikut.

“Republika e Kosovës do ta forcojë subjektivitetin e saj ndërkombëtar. Kjo vlen si për përpjekjet për njohje dhe marrëdhënie të ndërsjella diplomatike, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, bashkëpunimin ekonomik, shkëmbime kulturore, ashtu edhe për të gjithë spektrin e bashkëpunimit bilateral dhe multilateral”, thuhet në program.

Në anën tjetër, zyrtarë të Beogradit kanë paralajmëruar t’i rikthehen fushatës për anulimin e njohjeve të Kosovës dhe pengesave në mësymjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Sipas zyrtarëve serbë, numri i shteteve që kanë tërhequr njohjet për Kosovën ka shkuar në 15.

Edhe pse ka aplikuar Kosova, ka dështuar të anëtarësohet në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL) dhe Agjencinë për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara (UNESCO). Nuk është pjesë as e Këshillit të Evropës, Organizatës Botërore të Tregtisë Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

Ndërkaq ka arritur të anëtarësohet në Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Evropiane për Rindërtim e Zhvillim, Marrëveshja për Tregti të Lirë e Evropës Qendrore (CEFTA), si dhe Kosovë është pjesë e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe Federatave Sportive.