Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar Strategjinë për Zhvillim Rajonal 2020-2030.
Strategjia identifikon tri objektiva kryesore për arritjen e një zhvillimi të ekuilibruar dhe të qëndrueshëm të rajoneve të vendit dhe për tejkalimin e dallimeve dhe pabarazive ndër-rajonale.
“Objektivi i parë strategjik është koordinimi i politikave të zhvillimit rajonal përmes hartimit të legjislacionit për zhvillim të balancuar, në koordinim dhe bashkëpunim me të gjitha institucionet dhe akterët përkatës, objektivi i dytë është zhvillimi rajonal i balancuar dhe rajone të afta për konkurrencë ndër-rajonale, përmes zvogëlimit të dallimeve në aspektin e zhvillimit socio-ekonomik dhe ngritjes së cilësisë së jetës në rajone zhvillimore ndërkaq objektivi i tretë strategjik për zhvillimin e qëndrueshëm rajonal të bazuar në resurse natyrore, ekonomike, kulturore dhe humane përmes shfrytëzimit të resurseve natyrore dhe ekonomike që është një prej themeleve të zhvillimit ekonomik lokal dhe rajonal”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Në këtë mbledhje kabineti qeveritar ka dhënë miratimin edhe për aprovimin e Planit për Implementimin e Programit për Rimëkëmbje Ekonomike - Masa 15 “Mbështetje për programet ekzistuese dhe të reja që lidhen me zhvillimin rajonal përmes Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, që ndikojnë në zhvillimin rajonal të balancuar’’.
Qeveria po ashtu vendosi për vazhdimin e mandatit të kryesuesit të Komisionit për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike dhe Hetues i Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike, Mirsim Beqiri dhe anëtarit të Komisionit për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike dhe Hetues i Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike, Arben Dika, mandati i të cilëve zgjat pesë vjet.