Arbëri

Qeveria kritikohet për mospërmbushjen e agjendës legjislative

Projektligji për pagat e ai për shërbimin e jashtëm janë në mesin e planeve të Qeverisë për vitin 2021, të mbetura vetëm në letër.

Përkundër se që të dy projektligjet kanë qenë të parapara që të miratoheshin në Qeveri gjatë vitit që lamë pas, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Mospërmbushjen e agjendës e kanë kritikuar partitë në opozitë.

Blerta Deliu nga PDK-ja ka thënë se Qeveria ka përmbushur vetëm rreth 30 për qind të agjendës së planifikuar.

“Përgjithësisht është njëra prej agjendave më të dështuara që kemi parë viteve të fundit, duke marrë parasysh planin ambicioz që Qeveria ka pasur që në start, ka një përmbushje tejet të vogël të objektivave kur kemi në konsideratë numrat që Qeveria i ka në Parlament dhe përbërjen e mazhorancës në Parlament”, ka thënë ajo.

E shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se për ekzekutivin viti 2021 ka qenë më shumë mësim sesi të qeveriset.

“Agjenda legjislative që është sjellë në Kuvend nuk ka qenë një plan legjislativ, por një listë e dëshirave të ligjve në njërën anë, në anën tjetër disa ligje veç sa me thanë që Qeveria çfarë ligjesh ka bo si ai për pagat”, ka pohuar Tahiri.

Derisa ka thënë që agjenda legjislative e vitit të kaluar ka qenë ambicioze dhe e pakoordinuar, Erblin Hoxha thotë se për këtë vit Qeveria duhet të ketë parasysh diçka tjetër.

“Qeveria këtë vit duhet me u fokusu në krijimin e një bashkëpunimi ‘funksional’. Që për një varg ligjesh që janë të rëndësisë së veçantë, me pasë pajtim me opozitën për disa parime të përgjithshme. S`mundet me vazhdu që vetëm 50% të deputetëve të VV-së me vendos për krejt ligjet. Edhe nëse përmbushet agjenda legjislative 100%, po opozita në asnjë prej ligjeve nuk e përkrahë, atëherë shumica ka dështu në gjithëpërfshirës dhe ato ligje kanë me pasë problem implementimin”, është shprehur Hoxha.

Të pakënaqur me Qeverinë gjatë vitit të kaluar janë shprehur edhe disa qytetarë të intervistuar të martën.

“A ka Kosova Qeveri a? Qeveria ma e dobët është. A kanë bo ndonjë lëvizje? Koha jem qeveri ma të dobët nuk ka pa”, ka thënë një qytetar. “Kurgjo s`kanë bo hiç. Kam pritë shumë ma tepër. Kom pritë shumë ma tepër, nuk kanë bo kurgjo. Vetëm ato premtime që i kanë dhënë t`i zbatojnë”, tha një tjetër qytetar.

Por, ndryshe vlerësojnë nga ekzekutivi. Nëpërmjet një përgjigje me shkrim, zëdhënësja e Qeverisë, Rozafa Kelmendi, thotë se viti 2021 ka shënuar rekord sa i përket numrit të projektligjeve të miratuara.

“Për 40 javë qeverisje në vitin 2021 kishim 53 mbledhje të Qeverisë, që kanë sjellë 434 vendime, prej tyre 119 projektligje – numri më i madh ndonjëherë i projektligjeve të miratuara në qeveri brenda vitit. Në 14 vite që disponojmë shënime, viti 2021 është viti me numrin dukshëm më të madh të projektligjeve që ka miratuar Qeveria. Viti i dytë me radhë ka qenë viti 2008, kur janë miratu 89 projektligje. Pra, viti 2021 paraqet rekord për nga numri i projektligjeve te miratuara nga Qeveria. Përveç për nga numri rekord, kemi shënuar rritje edhe në cilësi, meqë shumë nga projektligjet janë të bazuara në opinionet e Komisionit të Venecias, që përbën një standard shumë të lartë. Nga projektligjet e mbetura, shume syresh janë të finalizuara dhe pritet të miratohen në pjesën e parë të këtij viti”, është shprehur Kelmendi.

Sipas Qeverisë, për rreth 10 muaj qeverisje kanë miratuar 434 vendime, prej së cilave 119 projektligje.