Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se i gjithë aparati shtetëror në Serbi është i ndërtuar për propagandë, teksa ka reaguar për tifozët serbë “Delije” të cilët shfaqën një koreografi gjatë një loje ku paraqitën shkrimin: “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”.
Bislimi ka thënë se “Delije” shpesh dërgon mesazhe të cilat presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, qëllimisht nuk i përmend publikisht. “Ai ka nevojë për veprime të tilla që të ushqejë urrejtjen dhe nacionalizmin etnik në opinionin publik”, ka shkruar ai.
“I gjithë aparati shtetëror në Serbi është i ndërtuar që media, sporti, arti, kultura, shkenca, të përdoren si mjete propagande dhe që të nxisin dhunë, terror, tensione dhe luftë”, ka shkruar Bislimi.
1/3 Crvena Zvezda ultras supporters "Delije" showed a banner citing "When the army will go back to Kosovo" during a friendly game against italian club Fiorentina. pic.twitter.com/jK86uQM2ke
— Besnik Bislimi (@BislimiBesnik) July 27, 2023
Ndërkohë, ka reaguar edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku. Ai ka thënë se Serbia po mobilizon tifozëri për mesazhe lufte.
Ai ka theksuar se bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të heshtë ndaj këtij veprimi.
“Koreografia e organizuar në ndeshjen miqësore të futbollit të zhvilluar dje ndërmjet “Yllit të kuq” dhe Fiorentinës në Beograd, tregon qartazi për mendësinë e pandryshuar të Serbisë. Serbia edhe një herë tregoi që nuk e kursen as sportin si platformë për promovimin e politikës së saj luftënxitëse. Kërcënimet me luftë nga stadiumi i futbollit duhet të kundërshtohen nga organizatat ndërkombëtare të futbollit, të cilat i ftojmë për marrjen e masave të duhura ndëshkuese. Këto veprimeve të Serbisë janë të papranueshme, andaj komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të qëndrojë në heshtje”, ka shkruar Çeku.
Edhe
FFK-ja reagon ndaj koreografisë të tifozëve serbë në Beograd
Në ndeshjen miqësore mes Cërvena Zvendës dhe Fiorentinës që u zhvillua të mërkurën në Beograd, tifozët e saj, “Delije”, pos koreografisë me tanke, kanë shpalosur edhe mesazhin që ushtria të kthehet në Kosovë. Kur po luhej ndeshja, në minutën 12:44, tifozët shfaqën koreografinë në fjalë, duke aluduar në Rezolutën 1244.