Arbëri

Qeveria këmbëngul për mosthemelimin e Asociacionit, shoqëria civile e quan temë sfiduese

Me arsyetimin se është obligim ndërkombëtar i nënshkruar, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka bërë thirrje që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të themelohet. Derisa nga Qeveria e Kosovës thonë se kanë tema më urgjente se Asociacioni për t’u diskutuar me Serbinë, dhe se ai nuk do të bëhet për shkak se është jokushtetues, nga shoqëria civile trajtimin e kësaj çështjeje e konsiderojnë sfidë për Ekzekutivin.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe, është duke u konsideruar si një nga temat më problematike në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë.

Duke pasur parasysh ratifikimin e kësaj marrëveshjeje në Kuvend, por edhe shkeljen e Kushtetutës në disa pika të saj, nga Instituti Demokratik i Kosovës thonë se kjo çështje do të jetë një nga sfidat e Ekzekutivit.

Sipas Violeta Haxhollit, njohëse e procesit të dialogut dhe zhvillimeve rreth tij, Qeveria duhet të jetë e mirëpërgatitur për këtë proces

“Qeveria duhet të ketë një strategji shumë të qartë dhe të mirë argumentuar se si do të procedojë përpara me qëndrimet e saj dhe të shoh nëse mund të arrihet ajo, që të shmanget pra nga një marrëveshje që është arritur në të kaluarën dhe të propozohet diçka e re e që ndoshta mund të pranohet dhe nga ndërmjetësi i dialogut edhe nga pala tjetër”, ka thënë Haxholli.

Në anën tjetër, nga Qeveria e Kosovës thonë se qëndrimi për Asociacionin mbetet i njëjtë, pra ai nuk do të bëhet.

Zëdhënësi Përparim Kryeziu, në një përgjigje për KOHËN, ka thënë se kanë tema të tjera më të rëndësishme që duhet të trajtohen në bisedimet me Serbinë.

“Qëndrimi dhe qasja e Qeverisë së Republikës së Kosovës mbetet e njëjtë. Asociacion të komunave njëetnik nuk mund të ketë. Ai është edhe në kundërshtim të Kushtetutës, por edhe në kundërshtim të karakterit multietnik të Republikës sonë. Qeveria e Republikës së Kosovës angazhohet dhe përkushtohet për ruajtjen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e jo shkeljen apo mosrespektimin e saj. Siç jeni në dijeni, kryeministri Kurti edhe zyrtarisht në takimin e qershorit ka propozuar reciprocitet në mes dy vendeve edhe sa i përket çështjes së pakicave. Si zgjidhje ka propozuar që edhe serbët në Kosovë, sikurse shqiptarët në Serbi, të kenë Këshillin e tyre Nacional. Për çdo temë që trajtohet në takimet në kuadër të dialogut me Serbinë duhet të ketë paraprakisht pajtueshmërinë e të dyja palëve. Ndërkohë, nuk ka urgjencë më të madhe sesa trajtimi i çështjes së të zhdukurve me dhunë gjatë luftës. Përveçse urgjente, për ne kjo çështje është edhe prioritare.”

Asociacioni i Komunave me shumicë serbe është përmendur nga Serbia edhe të premten, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Derisa kërkesën për formimin e Asociacionit e ka përsëritur edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, duke thënë se “është obligim ndërkombëtar që është nënshkruar”.

Në anën tjetër, lidhur me këtë çështje nuk kanë pranuar të deklarohen nga Bashkimi Evropian. KOHA që nga e marta nuk ka arritur të marrë një përgjigje se cila të jetë qasja e BE-së për këtë temë, duke pasur parasysh qëndrimet e kundërta të të dyja palëve.