Arbëri

Qeveria i kualifikon të skaduara të gjitha afatet e parapara në marrëveshjet paraprake

Interpretime të ndryshme mbi Marrëveshjen për targat kanë dhënë Brukseli, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë. Derisa zyrtarë nga Brukseli kanë thënë se me shkallëzimin e vendimit për targat ilegale Qeveria e Kosovës ka shkelur aranzhimet e dakorduara në vitin 2016, në Qeveri kanë theksuar se të gjitha afatet e vëna me marrëveshjet paraprake në Bruksel tashmë kanë skaduar. Në anën tjetër, zyrtarë të Serbisë i kanë fajësuar Brukselin dhe Kosovën për keqinterpretim të Marrëveshjes, duke mos i lejuar serbët që të pajisen me targa të UNMIK-ut. Pavarësisht vendimit të Qeverisë, në BE kanë thënë se janë duke punuar për gjetjen e një zgjidhjeje që do t’i shmangte tensionet

Bashkimi Evropian do t’i vazhdojë angazhimet për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme, pavarësisht vendimit të Qeverisë për shkallëzimin e vendimit mbi targat ilegale. Përcaktimin e Qeverisë, në Brukselin zyrtar e kanë kualifikuar si shkelje të Marrëveshjes së vitit 2016. Megjithëkëtë, zyrtarë të BE-së nuk kanë ofruar sqarime përtej komunikatës së lëshuar, teksa i kanë thënë KOHËS se përpjekjet për një zgjidhje të pranueshme do të vazhdojnë.

“BE-ja vazhdon të angazhohet me partnerët e saj për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të interesuara që të ruajnë qetësinë dhe të parandalojnë ripërtëritjen e tensioneve të panevojshme në terren”, ka thënë nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim një zëdhënëse e BE-së.

Kritikën ndaj Qeverisë, Zyra e përfaqësuesit të lartë të BE-së në Kosovë e ka mbështetur duke e marrë si referencë pikën 4 të aranzhimeve lidhur me finalizimin e zbatimit të Marrëveshjes për lëvizjen e lirë. Në reagimin e Zyrës thuhet se Marrëveshja e 2016-s e parasheh periudhë 12-muajshe për procesin e largimit të targave, “gjë që nuk është përfillur”.

“Kosova ka të drejtë t’i largojë gradualisht targat KM, por procesi duhet të marrë kohë në përputhje me Marrëveshjen në dialog dhe të implementohet në mënyrë gjithëpërfshirëse e konsultative. Përderisa vendimi është hap në drejtim të duhur, nuk është në përputhje me Marrëveshjet e Dialogut, që janë obligative për të dyja palët”, shkruan në komunikatën e lëshuar nga BE-ja.

Por kur Qeveria e mori vendimin fillestar për konvertimin e targave, kërkesa e përfaqësuesit të lartë të BE-së për Marrëdhënie me Jashtë dhe Siguri, Joseph Borrell, ishte që implementimi të shtyhej për një muaj.

Më 14 shtator të vitit 2016 ishte arritur marrëveshja lidhur me aranzhimet për finalizimin e zbatimit të Marrëveshjes për lëvizjen e lirë të vitit 2011. Pika së cilës i është referuar Brukseli cek se regjistrimi i të gjitha automjeteve me tabelat e lëshuara nga autoritetet e Kosovës do të fillojë më 15 janar të vitit 2017 dhe do të zgjasë për 12 muaj.

“Regjistrimi i të gjitha automjeteve me tabelat e lëshuara nga autoritetet e Kosovës (KS/RKS) do të fillojë më 15 janar 2017 dhe do të zgjasë për 12 muaj, në fund të së cilës periudhë do të ketë vlerësim nga të dy palët me ndërmjetësimin e BE-së”, thuhet në pikën 4 të Marrëveshjes.

Kryeziu: Të gjitha afatet e Marrëveshjes kanë skaduar

Por në Zyrën e kryeministrit Albin Kurti kanë thënë se të gjitha afatet e vëna me marrëveshjet paraprake në Bruksel tashmë kanë skaduar.

“Të gjitha afatet e parapara me marrëveshjet paraprake në Bruksel tashmë kanë skaduar. Afati i fundit në kuadër të këtyre marrëveshjeve ka qenë në shtator të vitit 2021. Ne jemi më 31 tetor të vitit 2022, ndërkohë që nga 1 shtatori i këtij vitit kemi hapur mundësinë për konvertimin e tyre. Afat ky që do të zgjasë deri më 31 mars 2023”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, për KOHËN.

Kryeziu ka rikujtuar se çështja e targave ishte trajtuar në Bruksel me rastin e skadimit të marrëveshjes paraprake. Sipas tij, në takimet e javëve të fundit, zyrtarët e Brukselit nuk kanë kërkuar zbatimin e pikës së marrëveshjes që së fundi është përmendur në komunikatë.

“Me lehtësimin e z. Lajçak, më 30 shtator të vitit të kaluar ishte arritur dakordimi për t’u angazhuar drejt gjetjes së një zgjidhjeje të përhershme. Por edhe pas shtatë takimeve të grupeve teknike dhe 6 muajsh përpjekje, për shkak të destruktivitetit të palës serbe, nuk kishte ndonjë marrëveshje. Andaj, përveçse u ka kaluar çdo afat targave ilegale, nga data 21 prill çështja e targave nuk përbën një proces ku Brukseli është i përfshirë drejtpërdrejt”, ka deklaruar Kryeziu. “Me vendimin e fundit për sekuecimin në kohë dhe shkallëzimin në sanksione për zbatimin e vendimit pararendës për targa ilegale, kemi vepruar në mënyrë të përgjegjshme në raport me obligimet tona për respektim të sundimit të ligjit dhe në të njëjtën kohë në raport me përkushtimin tonë për paqe dhe siguri. Me partnerët tanë i kemi diskutuar brengat që kanë qenë të përbashkëta, dhe duke marrë ato në konsideratë kemi ardhur deri të zgjidhja që i vendos krah për krah sundimin e rendit dhe ligjit dhe paqen dhe sigurinë. Për qasje, zgjidhjen dhe vendimin tonë partnerët ndërkombëtarë kanë qenë të njoftuar paraprakisht”.

Marrëveshja e njëjtë e parasheh edhe një fushatë informuese për konvertimin e targave. Në BE, e cila ia njeh të drejtën Qeverisë që ta shtrijë ligjshmërinë në targa edhe në pjesën veriore, kanë thënë se kanë ndihmuar në përgatitjen e fushatës që e ndërmori Qeveria e Kosovës.

“Me kërkesë të Qeverisë së Kosovës, BE-ja ka ndihmuar në përgatitjen e një fushate informative të drejtuar nga Kosova”, kanë thënë për KOHËN nga Zyra e Borrellit.

Krahas BE-së, edhe vendet e QUINT-it kanë kërkuar nga Kurti që ta shtyjë vendimin për targat edhe për 10 muaj të tjerë. Pas disa takimeve, Kurti iu përgjigj shqetësimit të ndërkombëtarëve vetëm duke e shkallëzuar zbatimin e vendimit në tri faza.

Serbia kërkon vazhdimësi të targave neutrale

Mirëpo interpretim krejt ndryshe lidhur me Marrëveshjen ka dhënë shefi i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Pektoviq. Ai ka bërë të ditur se procesi i riregjistrimit të veturave nënkupton që targat KM dhe të tjera, me denominime nga koha e ish-pushtetit të Slobodan Milosheviqit, të riregjistrohen në targa me status neutral - KS, pra targa të UNMIK-ut.

është e vërtetë që ky vendim është legjitim dhe nuk është e vërtetë që ky vendim është në përputhje me marrëveshjet që janë bërë. BE-ja le ta lexojë me kujdes Marrëveshjen për finalizimin e zbatimit të Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes nga viti 2016. Kur i referohen asaj marrëveshjeje, bëhet fjalë për pikën 4, që flet qartë për procesin e riregjistrimit në një periudhë 12-mujore. Por ata nuk po thonë çfarë shkruhet aty, por çfarë u shkon për shtat atyre”, ka deklaruar Petkoviq për televizionin publik të Serbisë.

Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, më 17 shtator të vitit 2020 pati marrë vendim që brenda një periudhe njëvjeçare të përmbyllet kalimi i të gjitha veturave nga KS në RKS.