Qeveria e Kosovës pritet të marrë nesër vendime të mëdha për demarkacionin.
Kabinetit qeveritar i ka shkuar sot njoftimi për dy mbledhje të qeverisë gjatë ditës së nesërme. KTV-ja merr vesh se Qeveria Haradinaj do të tërheqë Projektligjin e dërguar më parë, për ta zëvendësuar me të ri, duke përfshirë marrëveshjen Thaçi – Vujanoviq.
“Të nderuar ministra,
Nesër, e marte 20 shkurt, dy mbledhje të Qeverisë: Në ora 10:00. Rendi i Ditës: ‘Miratimi i kërkesës drejtuar Kuvendit të Republikës së Kosovës për tërheqje të Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi’
Në ora 16:00. Rendi i ditës: ‘Plotësimi dhe ndryshimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit te Zi’”, thuhet në njoftimin që u është dërguar pasdite ministrave.
Për këtë temë, siç ka raportuar KTV-ja javën e kaluar ka pasur përplasje mes AAK-së dhe NISMA-s, pasi që kjo e fundit nuk do që Marrëveshja Thaçi – Vujanoviq të përfshihet në ligj.