Arbëri

Qeveria e Kosovës e shqetësuar me situatën e vërshimeve në Gjermani

Zyra e Kryeministrit të Kosovës u ka shprehur ngushëllime familjeve Delija dhe Koxha të cilët humbën familjarët e tyre në vërshimet në Gjermani.

Kjo zyrë përmes një njoftimi ka thënë se me shqetësim po përcjell situatën e vërshimeve në Gjermani.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, me shqetësim po e përcjellë gjendjen e rënduar pas vërshimeve në Gjermani, ku si pasojë e përmbytjeve humbën jetën dhjetëra persona ndërkohë që shumë persona janë ende në kërkim. Bazuar në të dhënat zyrtare, deri në orët e paradites së sotme, si pasojë e vërshimeve, ka humbur jetën shtetasi i Kosovës Sh.D. si dhe një vajzë me shtetësi gjermane V.K. , që ka njërin prind me shtetësi të Kosovës” thuhet në reagimin e qeverisë.

Qeveria ka bërë të ditur se nëpërmes ambasadës dhe konsullatave të Kosovës, është duke përcjellë nga afër situatën në Gjermani dhe është në kontakt me mërgatën në zonat e prekura nga kjo katastrofë natyrore.

“Ftojmë të gjithë bashkatdhetarët që kanë nevojë për asistencë të lajmërohen në çdo kohë në konsullatat më të afërta. Ky është numri emergjent i Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Frankfurt am Main, që është në dispozicion 24 orë: +49 152 290 84 675” është bërë e ditur në njoftimin e qeverisë.