Arbëri

Qeveria akuzon mediat se nuk e vunë në rend të parë interesin publik

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka reaguar pasi mediat kanë bojkotuar konferencën pas mbledhjes së Qeverisë, meqë ajo nuk kishte filluar as pas 40 minutave nga përfundimi i mbledhjes.

Ai ka shprehur keqardhje për atë që ka ndodhur. Sipas tij vonesat në fillimin e konferencës për media ishin të arsyeshme, meqë ai ka thënë, se pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë kishte një takim të brendshëm të kabinetit qeveritar.

Por sipas Kryeziut, mediat me bojkotimin e konferencës nuk e kanë vendosur në rend të parë interesin publik.

“Mbajtja e konferencës pas mbledhjes së Qeverisë ishte paralajmëruar paraprakisht. Me gjithë konsideratën për punëtorët e mediave që ishin prezent në ndërtesën e Qeverisë, besoj shumë që kjo situatë ka mundur të shmanget. Konferencat për media pas mbledhjes së Qeverisë janë me interes për publikun. Sot nuk pati konferencë për media sepse interesi publik nuk u vendos në rend të parë”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.