Bashkimi Evropian, duke u përgjigjur në një pyetje lidhur me ndalesën e kombëtares kosovare në boks që të hyjë në territorin e Serbisë për të marrë pjesë në kampionatin botëror, ka kërkuar që të mos pengohet shkëmbimi kulturor, sportiv, intelektual dhe artistik mes Kosovës dhe Serbisë, ndërkohë që është shprehur se mbështet kërkesën e Asociacionit Ndërkombëtar të Boksit që Federata e Kosovës të trajtohet sikur të gjithë anëtarët tjerë.
“Siç kemi thënë disa herë në të kaluarën, normalizimi afatgjatë i raporteve dhe pajtimi i qëndrueshëm mes shoqërive fillon me shkëmbimet intelektuale, kulturore, sportive dhe artistike. Shkëmbimet e tilla janë thelbësore për të ndërtuar mirëkuptimin. Autoritetet në të gjitha nivelet nuk duhet të kursejnë përpjekjet për të siguruar që një shkëmbim i tillë të ndodhë rregullisht, në mënyrë të papenguar dhe pa asnjë shqetësim” ka thënë zëdhënësi i BE-së Peter Stano. Ai është i ngarkuar si zëdhënës për çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë, që ka përsipër edhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
“BE-ja mbështet plotësisht Asociacionin Ndërkombëtar të Boksit në pritjet që delegacioni i Federatës së Boksit të Kosovës të trajtohet njësoj sikur delegacionet e secilit anëtar tjetër të delegacionit dhe t’i mundësohet Kosovës pjesëmarrje në baza të barabarta”, ka thënë ky zëdhënës.
Kampionati botëror në Beograd tashmë ka nisur, pa pjesëmarrjen e Kosovës në të dhe është pikëpyetje nëse kjo përgjigje e BE-së do të mund të ndryshojë ndonjë gjë.
Delegacioni kosovar është kthyer tri herë nga kufiri me Serbinë.