Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë, Nikolai Patrushev, zyrtar në listën e zezë të SHBA-së, do të vizitojë Serbinë gjatë shkurtit.
Portali “Istraga.ba”, që është pjesë e gazetës së njohur boshnjake “Oslobodjenje” raportoi të hënën se temë diskutimi e njeriut të besueshëm të presidentit rus, Vladimir Putin, do të jetë “mercenarët kosovarë” që sipas Moskës zyrtare, i janë bashkuar ushtrisë së Ukrainës për luftime në lindje të këtij vendi.
Patrushev më herët ishte edhe "kryespiun" i Rusisë.
Në të vërtetë, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, ka thënë se ka informacione se shtete të Ballkanit Perëndimor po rekrutojnë njerëz për t’i dërguar në Donbas të Ukrainës, ku tash e tetë vite luftohet mes ushtrisë së Ukrainës dhe forcave proruse. Ka përfshirë edhe Kosovën.
Ndaj pretendimeve të Rusisë ka reaguar të dielën edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, duke e quajtur gjithë këtë propagandë të egër ruse.
Edhe “Thikë pas shpine”: Si u tërbua Rusia kundër Serbisë“Bëjmë me dije ministrit rus Lavrov dhe agjencisë e lajmeve ruse TASS, se Republika e Kosovës e ka të ndaluar me ligj (NR.05/L-002 ) pjesëmarrjen e qytetarëve të saj në luftëra jashtë vendit dhe ky ligj parasheh dënime të rrepta për secilin qytetar të saj që mund të jetë pjesë e veprimeve të tilla. MPJD vlerëson se deklaratat e agjencisë së lajmeve TASS dhe ministrit Lavrov janë pjesë e një fushate të egër të propagandës ruse që kanë për qëllim tërheqjen e vëmendjes së gjithë botës demokratike nga ankthi që po krijon politika hegjemoniste dhe e diktatit rus mbi të drejtat e popujve për jetë të lirë e sovrane. Kjo fushatë e egër ruse kundër Kosovës dhe vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor, ndër të tjera, ka për qëllim edhe tensionimin e situatës në Kosovë dhe më gjerë në rajon përmes satelitit rus në Ballkan, Serbisë”, është thënë nga MPJ-ja.
Rusia ka grumbulluar mbi 150 mijë forca përreth kufirit me Ukrainën dhe shtetet perëndimore besojnë se një sulm i saj ndaj Ukrainës pritet nga dita në ditë.