Punëtorët e KEDS-it në Mitrovicë, të përkrahur edhe nga Federata e Sindikatave të Pavarura ‘Elektro Kosova’, kanë protestuar kundër vendimit të shkëputjes së kontratave të punës për disa punëtorë të kësaj kompanie. Ata kanë kërcënuar me grevë të përgjithshme në rast se institucionet nuk ndërhyjnë në zgjidhjen e këtij problemi, raporton KTV.
“Stop presionit ndaj punëtorëve” ishte mbishkrimi i njërës së pankartave të punëtorëve të KEDS-it, të cilët për një orë protestuan para zyrave të kësaj kompanie në Mitrovicë.
Ata po e kundërshtojnë largimin nga puna edhe të dhjetë punëtorëve të tjerë nga KEDS-si, veprim ky që, sipas tyre, është shumë i padrejtë.
Ankohen se KEDS-i pa asnjë arsye po vazhdon të largojë punëtorë.
E krejt kjo, sipas tyre, me qëllimin e vetëm që të mos u bëhen kontratat e përhershme punëtorëve të cilët janë në prag që t’i bëjnë 10 vjet përvojë pune, e të cilëve pas kësaj kohe, me automatizëm, u takon kontrata e përhershme.
Edhe
Punëtorë të KEK-ut kërkojnë ngritje rrogash dhe pagë të 13-të
Protestuesit kërkuan edhe ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse në zgjidhjen e këtij problemi, në rast të kundërt, paralajmërojnë se do të hyjnë në grevë të përgjithshme.
Kërkesë e tyre është edhe rritja e pagës si dhe shqyrtimi i rasteve të punëtoreve të tjerë të larguar më herët.
Punëtorëve të larguar u ka dalë në mbrojtje Federata e Sindikatave të Pavarura ‘Elektro Kosova’.
Përfaqësues të kësaj federate kanë thënë se punëtorët me shumë vjet përvojë pune po zëvendësohen me gjenerata të reja, vetëm e vetëm që KEDS-i t’i paguajë punëtorët e rinj me paga minimale .
Edhe
KEDS-i ua ndal rrymën rreth 450 bizneseve të mëdha
Ndërkaq, zyrtarë të KEDS-it kanë thënë se për çdo vit kjo kompani vlerëson performancën e operimeve të saj si dhe të punëtorëve në mënyrë të rritjes së cilësisë së shërbimeve ndaj konsumatorëve.
Sipas tyre, si pasojë e mosperformancës së mirë dhe arsyeve të ndryshme, KEDS-i është detyruar që t’ua shkëpusë kontratat këtyre punëtorëve.