Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pula: Zgjedhja e presidentit direkt nga populli i jep legjitimitet tjetër figurës presidenciale

Sociologu Besnik Pula ka thënë se nuk është i pajtimit që zgjedhja e presidentit në Kosovë të bëhet nga votat e qytetarëve.

Pula përmes një statusi në Facebook ka thënë se zgjedhja e presidentit direkt nga qytetarët i jep legjitimitet tjetër popullor figurës presidenciale, i cili siç ka thënë, në këtë rast nuk do të ishte më figurë ceremoniale por politike.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Një zhvillim i tillë e cenon thellësisht sistemin parlamentar të Kosovës, krijon një pol tjetër politik në shtet i cili funksionon qoftë në drejtim të polarizimit politik midis qeverisë dhe presidentit (siç ndodh p.sh. në Rumani), ose kontribuon drejt shndërrimit në një sistem presidencial gjithnjë e më autokratik (siç ka ndodh në Serbi, Turqi, apo edhe në Shqipëri në vitet 1990)”, ka shkruar Pula.

Ai ka thënë se metoda aktuale e zgjedhjes së presidentit nuk është funksionale as proceduralisht, e as nuk është në përputhje me frymën kushtetuese të vendit.

“Kushtetutshmërisht, presidenti duhet të jetë figurë e pavarur dhe unifikuese, që gëzon konsensus të gjerë shoqëror e politik. Aq më tepër, ajo nuk duhet të jetë figurë partiake. Këtë në Kosovë nuk e kemi parë pothuajse asnjëherë (hiq rastin e Atifete Jahjagës, e që megjithatë nuk e ka pasur mbështetjen e shumicës)”, ka shtuar sociologu Pula.

Sipas tij, Kosova duhet ta gjej një format tjetër të zgjedhjes së presidentit, që bazohet në parime e në traditën e vjetër republikane.

“Në vend të zgjedhjes së presidentit nga Kuvendi siç bëhet tani, Kushtetuta mund të përcaktojë formimin e një trupi të përkohshëm qytetar (Tribunat), i përbërë nga organizata të rëndësishme shoqërore dhe qytetarë të zgjedhur përmes lotarisë. Tribunati ka mandat të kufizuar dhe përfshin elemente si, përfaqësim të minoriteteve dhe përfaqësim të barabartë gjinor e socioekonomik. Funksioni i vetëm i këtij Tribunati është përzgjedhja e dy ose tre kandidatëve për president. Këta kandidatë duhet të jenë qytetarë, figura të dalluara e të respektuara shoqërore, por jo drejtues partish e as figura aktive ose të kaluara partiake. Kandidatët pastaj zgjidhen president me votë nga po ky trup, ose edhe me plebishit”, ka thënë ai.

Pula ka shtuar se është e udhës që presidenti, të jetë një figurë, qoftë edhe i dalë nga anonimiteti, që përmes respektit të gjerë që gëzon ndër qytetarë simbolizon shtetin brenda një figure bashkuese e jopolarizuese.

“Për më tepër që një metodë e tillë përfundimisht e heq çështjen e presidentit nga kalkulimet dhe pazaret brenda e ndër-partiake. Dhe, Kosova bëhet vend i vërtetë demokratik ku bash secili qytetar e ka mundësinë të bëhet president”, ka përfunduar ai.